Quhet Xheferson Luis, mund të quhet maratonomaku i kohërave moderne, pasi ka luajtur për 37 klube në karrierën e tij 22-vjeçare.
Luis është sulmues, ka shëtitur pa fund në futbollin anglez, por gjithnjë në kategoritë e ulëta, nga Oksford te Reklamë, duke shënuar kudo, herë pak e herë shumë, deri në 22 gola në 25 ndeshje tek Hendon.
Momenti më i madh i karrierës? Një sfidë kundër Arsenalit në turin e tretë të Kupës FA.
Tashmë është 39 vjeç, këtë vit ka luajtur 5 ndeshje për Farnboro, duke shënuar 2 gola, me një mesatare dinjitoze për një sulmues në fund karriere.
Në vitin 2014 për Telegraph Luis thoshte: “Më duket vetja si i mallkuar. Kur shkova te Reksami në vitin 2008, trajneri Din Sonders më tha: ‘Do dija të të kisha kur ishe më i ri, do ishe në Premier Ligë tani’. Ku dreqin më shkoi ters?”.
Ndoshta ndryshimet pa fund të ekipeve, për rekord Guinness, kanë trembur trajnerët, pasi një lojtar që ndrysh ekip çdo 6 muaj është me rrezik, por Luis e refuzon etiketën “mollë e prishur”, edhe pse në vitin 2002 u bë pa dashje i famshëm për shkak se u filmua duke festuar nudo fitoren e Oksfordit në Kupën FA dhe për pasojë shortin kundër Arsenalit.
Aston Vila u interesua për të, por vetë Luis nuk e mori vesh në atë kohë, edhe për faktin se nuk ka pasur kurrë një menaxher.
Para një dekade Luis luajti edhe për Republikën Domenikane, vendi i origjinës nga Amerika Qendrore, por Premier Liga mbeti pengu i jetës së tij: “Disa lojtarë i kisha tek Oksfordi dhe isha më i mirë se ata. Më vonë ata shkuan në Premier Ligë, ndërsa unë jo. Diçka e kam gabuar rrugës, me sa duket”, thotë duke qeshur Luis, i cili sheh anën pozitive: “Kam luajtur futboll gjatë gjithë jetës sime, kam luajtur në kombëtare, kam takuar Tieri Henrinë dhe kam përfunduar në faqet e fundit të gazetave, te faqet e sportit. Nuk kam asnjë peng”.
Tani është pa ekip, ku i dihet, ndonjë ekip shqiptar do interesohet për të, duke parë gjithë lojtarët qesharakë që qarkullojnë në Shqipëri çdo vit, nga Superiorja deri tek Kategoria e Parë.