Cilët janë faktorët që gremisën Tiranën!

 

Nga borxhet e vjetra, merkatoja, menaxhimi i keq i ekipit e deri tek rezultatet e skuadrës në pjesën e dytë të sezonit

Speciale nga Olsi Avdiaj

Nuk ndodhi pas një sezoni, kështu hiç, si “rrufe në qiell të hapur”. Tirana është “gremisur” në Kategorinë e Parë, por faji është i të gjithëve dhe ka filluar vite më parë. Nga borxhet e vjetra, merkatoja, menaxhimi i keq i ekipit, e deri tek rezultatet e skuadrës në pjesën e dytë të sezonit, gjithçka ndikoi tek “kataklizmoja”. Të bëra bashkë, ato sollën rënien e bardhebluve në Kategorinë e Parë. Por duhet thënë se që situata precipitoi në këtë pikë, faji është i të gjithëve, duke filluar nga drejtuesit, për të vazhduar  me stafin teknik dhe futbollistët. Trajneri Josa e kishte nënvizuar shpesh përgjatë sezonit se shumë prej këtyre lojtarëve nuk meritonin të mbanin veshur fanellën e Tiranës, por në fund të një drame që u shënua në Shkodër, Josa mori përgjegjësitë mbi vete, ndërsa i drejtoi gishtin e akuzës edhe presidencës, për të liruar disi nga përgjegjësitë futbollistët, që sipas tij dhanë maksimumin në sfidën e “Loro Boriçit”.

Veprimet e presidentit

Ky sezon nuk nisi aq keq për Tiranën, por u mbyll në mënyrën më tragjike të mundshme. Tani as suksesi në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, nuk mund të shpëtojë atë që do të konsiderohet gjithmonë si sezoni më i dështuar i futbollit bardheblu. Ka qenë një Tiranë kaotike në menaxhim. Që para se të kthehej Refik Halili në ekip si president, situata e parave ishte beter, por ajo u thellua edhe më shumë më pas. Veprimet e presidencës së re kanë qenë të tmerrshme në menaxhim. Kanë fshehur borxhe të vjetra dhe shtuar të reja pa fund. Dhe kulmi i fundit nisi në gusht, ku Tirana ishte dënuar, por bardheblutë e mbajtën të fshehtë. Halili gjithmonë ka akuzuar një pjesë të medies për keqdashësi, por nuk ka parë veten e tij dhe menaxhimin e skuadrës ku ai është komandant.

Bllokimi i merkatos

Më pas merkatoja bardheblu për sesionin e dimrit u bllokua nga FIFA për shkak të borxheve të prapambetura. Dështoi në këtë mënyrë afrimi i Elis Bakajt, akordi me të cilin ishte arritur dhe që ishte një shkëndijë shprese në ato ditë të zymta për ngjyrat bardheblu. Pak më vonë Federata Shqiptare e Futbollit sqaroi më saktësisht çështjen për të cilën ishte dënuar Tirana dhe bëhej fjalë për Martin Kavdanskin, mbrojtësin bullgar të afruar në verën e vitit 2015, i cili kishte fituar gjyqin me Tiranën në FIFA. FSHF njoftoi se Tirana e kish kryer pagesën e lojtarit një ditë më pas më datë 26 gusht, ndërkohë siç dëshmon edhe faksimilja e komunikatës zyrtare të Tiranës në 25 gusht 2016, bardheblutë siguronin opinionin publik se pagesa ndaj mbrojtësit bullgar ishte kryer në kohë. Më pas u zbuluan borxhe pa fund, që aktualisht kalojnë 1 milionë dollarët dhe që i kanë bllokuar të gjithë asetet dhe stemën e klubit, skuadrës bardheblu. As ndërhyrja e Bashkisë nuk solli zhbllokimin e rezultatit. Borxhet edhe pse në një krah paguheshin, në krahun tjetër shtoheshin, siç është rasti i Muzakës. Një dështim i madh edhe pse tek Tirana mburreshin dita ditës se gjërat ishin nën kontroll. Bllokimi i llogarive dhe mos transferimi i 400 milionëve të Bashkisë ishin kulmi i turpit.

Ndryshimi i trajnerit

Gabimi i madh i drejtuesve ishte ndryshimi në stol me largimin e Ilir Dajës dhe afrimin e Mirel Josës pak javë pas fillimit të kampionatit. Një veprim i nxituar i presidentit Halili që solli këtë dështim historik. Edicioni futbollistik 2016-2017, do të kujtohet edhe për faktin se një trajner që u shpall për 4 vite rradhazi kampion me Skënderbeun, preku pikën më të ulët të karrierës së tij, duke rrëzuar për herë të parë nga kategoria skuadrën më të titulluar të futbollit shqiptar të cilën e mori në vendin e 4-t dhe renditi të 9-tën. Ai është Mirel Josa një ish-legjendë bardheblu që këtë herë me marrjen e drejtimit të Tiranës në një gjendje të tillë bëri ndoshta zgjedhjen më të gabuar në karrierë, duke njollosur emrin e tij.

Rezultatet

Dy fazat e para kanë qenë model me dy trajnerët që kanë marrë 14 pikë Ilir Daja me tre fitore dhe pesë barazime dhe 14 pikë në 9 javë. Trajneri Mirel Josa e mori drejtimin e Tiranës në fazën e dytë dhe e nisi mirë, duke marrë dy fitore radhazi me Teutën dhe Laçin, kundërshtarë që tani në fund i lanë pas shpine bardheblutë. Bilanci në fazën e dytë ishte 3 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, çka do të thotë 12 pikë për Tiranën. Pjesa e dytë e sezonit ishte totalisht e dobët për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa, që në 18 ndeshje mblodhi po 12 pikë, aq sa kishte mbledhur edhe në fazën. Dy fitore të marra tregojnë krizën e skuadrës bardheblu, teksa ato që rëndojnë më shumë janë dy barazimet e arritura me Korabin, që do të thotë katër pikë të lëna, që sot do të thoshin shumë, madje mund të pretendohej edhe vendi i katërt dhe Europa të ishte e sigurt, pasi 24-herë kampionët e vendit kanë siguruar më parë finalen e Kupës së Shqipërisë.

Largimet në janar

Vetëm vrapojnë kot”. “Nuk vlejnë për Tiranën”. “Paguhen shumë shtrenjtë”. “Nuk luajnë më dot futboll”. Këto ishin justifikimet e përdorura kur u larguan nga Tirana Ansi Nika, Erjon Vucaj, Gjergji Muzaka, Argjend Mustafa e Enriko Papa. Por të pestë këta lojtarë, që u larguan me një fshesë të madhe nga bardheblutë, gjatë merkatos së janarit, gjatë sezonit bënë “hajër” diku tjetër. Disa në Superiore, e të tjerë jashtë shtetit. Të pavlefshëm për bardheblutë dikur, por me këtë situatë që u katandis Tirana, të pestë lojtarët e larguar mund të ishin titullarë. Dhe nuk mund të thuhet se të pestë nuk kanë personalitet në fushë. Të paktën eksperiencë në Superiore, tre prej tyre kishin. Gjithsesi, tani çdo gjë “ka vdekur”. Tirana mund të fitojë sezonin e ardhshëm armatën me të rinj, por gaboi me largimin e pesë lojtarëve që gjithsesi, deri në fund të sezonit mund ta kishin “nxjerrë skuadrën nga balta”. Ka edhe një takim deri në fund të sezonit, ndonëse gabimi është bërë dhe paçka se bardheblutë mund të fitojnë Kupën apo të shkojnë në Europë, por të paktën me pesë lojtarë më shumë do të kishte më pak vuajtje.

Sherri me tifozët

Prej më shumë se tre muajsh, tifozëria e organizuar nuk është në stadium. Shkak është bërë sherri me presidentin Refik Halili dhe çështja që klubi toleroi për “Selman Stërmasin”, duke ia dhënë me qira Partizanit. Situata degradoi gjithsesi, dhe klubi e vetë presidenti, shumë shpesh kanë kërkuar “ura komunikimi” me tifozërinë, që nuk pranon uljen në tavolinën e bisedimeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Për t’i afruar në stadium disa ndeshje të fundit, pjesa “karshi” është lënë pa para, nga klubi Tirana, por më kot.

Drejtuesit publikisht kanë thirrur disa herë tifozërinë të kthehet në stadium, por kjo e fundit nuk i ka vënë fare veshin, duke vazhduar bojkotin. Fakt është se me ikjen e tifozëve nga stadiumi. Po përse ndodhi përplasja? Tifozët e Tiranës, “Fanatics” dhe të tjerët, ka kohë që janë të zhgënjyer nga bardheblutë dhe presidenti Refik Halili, për shumë arsye. Në radhë të parë, tifozët bardheblu presin suksese dhe trofetë mungojnë prej vitesh, ndaj dufi i akumuluar gjen shpesh rrugëdalje me ngjarje të tilla, por kurrë nuk ishte kaluar në dhunë ndaj lojtarëve bardheblu.

Në fakt, “furtuna” shpërtheu pas lajmit se Partizani do të luajë në “Selman Stërmasi”, diçka e patolerueshme për tifozët, por pamundësia për t’u konfrontuar me drejtuesit bëri që të ndodhte katrahura e 26 janarit. “Shënjestra” e kritikave ka muaj që është pikërisht presidenti Refik Halili, i cili sipas tifozëve erdhi në drejtimin e Tiranës pas protestës së tifozëve para Bashkisë, por më pas nuk ka bërë asgjë nga ato që pritej e premtonte, ndërsa i vuri kapakun, duke i hapur rrugë Partizanit, i cili luajti në “shtëpinë” bardheblu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *