Sulmuesi shqiptar, Sokol Cikalleshi e njeh mirë kombëtaren turke dhe lojtarët e kësaj skuadre, pasi ka luajtur disa herë kundër tyre. Përveç kombëtares rivale, Cikalleshi foli dhe për formacionin tonë kuqezi. Në një lidhje direkte me “Supersport”, Cikalleshi tha:
TURQIA – “Unë po e nis nga kombëtarja turke dhe po them që besoj që do të luajnë me tri sulmues përpara, Jilmaz kryesor. Këto janë komntuar në Turqi. Emre do të luajë para mbrojtjes dhe mendoj se 3.4 lojtarë që janë shumë të rëndësishëm janë Emer, Tosun, Jilmaz dhe Çalhanoglu. Mendoj se janë dy sulmues që e kërkojnë shumë hapësirën dhe me vertikalizimet që Emre i bën shumë mirë, kjo do të jetë loja e Turqisë”.
FORMACIONI I SHQIPËRISË – “Sa i përket formacionet tonë, nuk mund të komentoj shumë, se më duket i paqartë. Unë mendoj që është 4-5-1 me atë që mendoj unë. Paksa Uzuni më i avancuar në mbështetje të Balajt kur ne sulmojmë”, tha Cikalleshi.
“Mediet na kanë marrë shumë seriozisht, duke na dhënë vlera maksimale, por turqit janë të bindur se do të arrijnë të fitojnë sot dhe për këtë kam bërë shumë debate për shumë miq të mi që janë pranë futbollit”.
“Sigurisht në këto momente nuk është Turqia e Botërorit të 2002-shit ose Europianit të 2008-ës. Po të ishte akoma Luçesku do të ishte diçka e mirë për ne, por me ardhjen e Gynesh situata ka ndryshuar. Është një emër i madh që bërë shumë për futbollin turk dhe jam i sigurt se ai do të dijë t’i çojë atje ku duhet ata”.
I pyetur nëse kishte dhënë ndonjë informacion stafit të kombëtares në lidhje me lojtarët e kampionatit turk, Cikalleshi u përgjigj: “Të them të drejtën me trajnerin nuk kam folur, por kam biseduar me disa nga lojtarët dhe u kam dhënë disa informacione mbi lojtarët që kam pasur kolegë kur isha pjesë e Bashakshehirit. Shpresoj që t’u kem ardhur në ndihmë”.