Është cilësuar skandaloz pretendimi që Champions Leagu të transmetohet në Kosovë nga Radio Televizioni i Serbisë. Reagim të ashpër ka pasur nga tifozët, ndërkohë që nuk ka qëndruar duarkryq edhe Kujtim Gashi, Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
“Është e papranueshme që pas aq shumë mundimeve, vuajtjeve e sakrificave për të ndërkombëtarizuar sportin e Kosovës, e veçanërisht futbollin, sot të ketë tendenca që të vihet në pikëpyetje anëtarësimi ynë në UEFA e FIFA, nga pretendimet për të transmetuar në Kosovë Ligën e Kampioneve të UEFA-së, përmes Radio Televizionit të Serbisë”, shkruan në një postim në “Facebook” Gashi.
Më tej ai ka shtuar: “Kosova është e barabartë në UEFA dhe FIFA dhe për këtë më së shumti jemi borxhli ndaj Legjendës së Sportit tonë, Fadil Vokrrit. Është fyerje edhe ndaj tij dhe gjithë atyre që kanë dhënë e sakrifikuar aq shumë për të përjetuar emocione si ato që kishim në ndeshjen premiere Kosovë – Ishujt Faroe.
Nëse lejohet një hap i tillë, esencialisht mund të kontestojë barazinë tonë me shtetet e tjera në UEFA dhe FIFA. Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe Serbia nuk mund të ketë kurrë me asnjë kompetencë mbi Kosovën, as për sport e as për asnjë gjë tjetër.
Si Ministër i Sportit, pres që të gjitha institucionet përgjegjëse të kryejnë detyrat e tyre për të garantuar pavarësinë e sportit të Kosovës, qoftë në fushat e blerta apo në ekranet tona televizive. Ashtu siç nuk mundet më Serbia të organizojë ndeshje futbolli në territorin e Kosovës, nuk mundet as të marrë të drejta për transmetime televizive në Kosovë, sepse ndryshe ky do të ishte cenim i integritetit territorial të shtetit tonë”.