Sot në Kategorinë e Parë për të rinj luhej java e fundit, me Ilirinë që priste Kamzën, në një derbi me rëndësi të shumëfishtë, sepse në lojë ishte vendi i parë dhe për pasojë ngjitja në Superioren e të rinjve. Kamza luante për barazim, sepse ishte në krye, ndërsa Iliria kishte dy pikë më pak.
Në fund fitoi Iliria 2-1, me dy gola në minutat 43 e 85 nga Kadiu e Bakalli, ndërsa miqtë shkurtuan në shtesë me Xhajën, gol pa vlerë.
Festë e madhe në Fushë-Krujë, me pamje impresionuese, sepse ishin mijëra tifozë entuaziastë në tribuna, si në pak ndeshje në Shqipëri, aq sa edhe në Superiore ëndërrojmë të shohim ndeshje të tilla.
Një leksion edhe për klubet tona: doni tifozë? Ja ku janë, mjafton të përdorni trurin dhe jo paratë, për të afruar lojtarë pa doganë nga gjithë Shqipëria e bota!