Çështja Xhejms, Skënderbeu i drejtohet UEFA-s

Sulmuesi nigerian nuk është pajisur dje me vizë nga Ambasada e Çekisë. Reagon ashpër klubi korçar, që “kërcënon” se nuk do të niset nga Shkupi pa pasur edhe lojtarin afrikan me vete

Leonard Trebicka

Ishin harruar problemet me dokumentacionin e lojtarëve afrikanë të skuadrave shqiptare, por ato janë rishfaqur dje te Skënderbeu. Sulmuesi Xhejms Adeni nuk mund të udhëtojë sot drejt Çekisë, sepse ambasade e këtij vendi ka refuzuar ta pajisë me vizë nigerianin e korçarëve. Nuk dihet qartë arsyeja, që pengoi marrjen e vizës nga futbollisti i Skënderbeut në Ambasadën Çeke në Tiranë, por tashmë është fakt që Xhejms nuk e ka vizën. Kishte disa ditë, që klubi korçar kishte aplikuar në ambasadë për vizat e të gjithë futbollistëve dhe të gjithë e kanë marrë, përveç Xhejms Adeni. Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë me këtë futbollist, teksa edhe gjatë fazës përgatitore, që u zhvillua në Slloveni, ai nuk bëri asnjë ditë stërvitje me grupin, pasi edhe në atë moment iu mohua viza.

TRONDITJA – Sigurisht, ky lajm e ka tronditur Skënderbeun, sepse nuk ka në dispozicion një futbollist të rëndësishëm. Fatmirësisht, Xhejms nuk ishte planifikuar titullar nga trajneri Ilir Daja për ndeshjen e nesërme, sepse kthehet nga një dëmtim dhe e shumta do të ishte në stolin e rezervave. Por, patjetër që kjo që ndodhi me Xhejmsin nuk është aspak normale, pasi ambasada e ka për detyrë të japë vizën për lojtarët në të tilla raste. Të jetë bërë me qëllim nga pala çeke? Kjo nuk mund të thuhet. Ndoshta klubi korçar duhet të përpiqet më shumë që të zgjidhë një herë e mirë çështjen e dokumentacionit të lojtarit nigerian, që të mos ketë probleme të paktën në të ardhmen, pasi Nimaga për shembull nuk ka pasur probleme.

NJOFTOHET UEFA – Klubi “Skënderbeu” është indinjuar së tepërmi me problemin në fjalë dhe ka lajmëruar menjëherë UEFA-n, duke e informuar për gjithçka. Madje, me anë të një deklarate zyrtare në faqen e tij, klubi korçar ka “kërcënuar” se nuk do të niste udhëtimin nga Shkupi, ku ndodhej mbrëmë, për në Pragë, pa pasur në ekip edhe futbollistin nigerian, të cilit i është mohuar viza nga Ambasada e Çekisë. Ndoshta mund të ndodhë një mrekulli, por pak gjasa ka që sulmuesi të jetë bashkë me ekipin në Çeki për ndeshjen e nesërme me Mladën. Ndoshta mund të jetë një presion ky i korçarëve, edhe pse kanë plotësisht të drejtë, por këtyre problemeve u duhet paraprirë, aq më tepër që diçka të tillë e përjetuan pak kohë më parë, kur Xhejms mbeti në Durrës dhe nuk shkoi në Slloveni për shkak dokumentesh. Pak gjasa ka që UEFA të ndërhyjë në një rast të tillë, pasi vërtet mund të ketë një problem dokumentacioni me futbollistin e Skënderbeut.

MUNGESAT – Duke e llogaritur edhe Xhejmsin një mungesë thuajse të sigurt, Skënderbeu nuk ka të gatshëm për ndeshjen e nesërme tre lojtarë, mesfushorin Sabjen Lilaj dhe sulmuesit Goran Vujoviç dhe Xhejms Adeni. Trajneri Daja kishte menduar që nigerianin ta hidhte në fushë gjatë pjesë së dytë, por tani ndoshta nuk e llogarit fare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *