Çelsi fundoset, Sarri shpërthen në akuza: Jemi ekip delesh!

Maurizio Sarri ka pasur një lumë kritikash ndaj lojtarëve të Çelsit, pas humbjes ndaj Arsenalit, duke i akuzuar ata se kanë “jashtëzakonisht të vështirë për t’u motivuar” dhe u mungon “egërsia” nëlojën e tyre.

Për herë të parë që kur ka marrë drejtimin e Çelsit, para 6 muajsh, Sarri foli në italisht për të thënë saktësisht atë që ndjente, pasi ishte tepër nervoz për të folur në anglisht pas disfatës së rëndë ndaj Arsenalit, që e ka shkurtuar në vetëm 3 pikë distancën me Arsenalin dhe Mançester Junajtid.

Ish-trajneri i Napolit evidentoi paraqitjen e mekur të skuadrës së tij dhe faktin që gjuajtja e parë në portë erdhi në minutën e 82-të, nga Markos Alonso.

“Jam shumë i zemëruar, i tërbuar. Kjo humbje erdhi për shkak të mentalitetit tonë mbi të gjitha, mendërisht e kemi përgatitur shumë keq ndeshjen. Luajtëm ndaj një ekipi që mendërisht ishte shumë më i vendosur se ne dhe këtë nuk mund ta pranoj.

“Edhe ndaj Totenhemit, në nëntor, ishte situatë e ngjashme. Folëm shumë për atë ndeshje dhe mendoja se e kaluam si problem. Me sa duket, na mungon ende motivimi i mjaftueshëm, të qenit solidë mendërisht, të qenit të vendosur. Nuk jam aspak i qetë, aspak i lumtur.

“Duket se ky grup lojtarësh është shumë i vështirë për t’u motivuar, edhe pse do doja shumë të isha në dhomat e zhveshjes tani, për të folur me ta. Kur sheh ndeshje të tilla, ku njëra skuadër është jashtëzakonisht e vendosur dhe tjetra jo, është e kotë të flasësh për teknikë.

“Mund ta kishim humbur atë ndeshje gjithsesi, por do ta kishim humbur për çështje taktike. Në fakt, e humbëm për shkak të vendosmërisë sonë, që nuk ekzistonte. Nuk pashë asnjë lloj agresiviteti, dukeshim si dele në fushë, me mentalitet të butë. Kjo është skuadra, këta janë lojtarët, nuk e di a mund ta ndryshojmë këtë karakter. Ndoshta do duhet ndryshim total lojtarësh, apo disa nga veteranët të marrin më shumë përgjegjësi. Sot nuk luajtëm futbollin tonë, bënim 7-8 pasime kur duhej të bënim një ose dy. Duhet ta ndryshojmë këtë gjë“.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *