Çelsi blindon portën, 80 milionë euro për talentin spanjoll

Çelsi është pranë afrimit të një portieri. 23-vjeçari i Atletikos së Bilbaos, Kepa Arrizabalaga, ndodhet në Madrid me agjentët e tij për të finalizuar detajet e marrëveshjes. Drejtuesit e Çelsit janë gati të paguajnë klauzolën prej 80 milionë eurosh dhe lojtari pritet të udhëtojë drejt Londrës brenda 2 ditëve të ardhshme, siç citon spanjolla “AS”.

Një transferim i tillë do e bënte Arrizabalagën portierin më të shtrenjtë të historisë, duke “rrëzuar” nga froni brazilianin Alison, i cili u transferua nga Roma tek Liverpuli për 75 milionë euro.

Klubi anglez ka vendosur të paguajë klauzolën e tij, por mungonte vetëm akordi me lojtarin. Drejtuesit e “Bluve” kanë arritur të bindin portierin dhe negociatat janë shumë afër mbylljes.

Në janar, Arrizabalaga rinovoi kontratën me ekipin bask deri në vitin 2025 dhe klubi i vendosi klauzolën prej 80 milionë eurosh, por tashmë ai është gati të nisë një aventurë të re me ekipin e Sarrit. Portierin spanjoll e pret një rritje page, edhe pse tek Bilbao ai fitonte 4 milionë euro në sezon.

Një transferim i tillë do të shpejtojë dhe kalimin e Tibo Kurtua te Reali Madridit. Këta të fundit kanë afruar 35 milionë euro për shërbimet e portierit belg dhe palët janë drejt akordit përfundimtar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *