Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me Gjermaninë, e cila vazhdon të mos humbasë asnjë ndeshje. Korrigjim: të fitojë pa përjashtim çdo sfidë. Kampionët e botës sot mposhtën 2-1 Republikën Çeke në “Eden Arena”, ndeshje e vlefshme për Eliminatoret e Botërorit të Rusisë, duke ruajtur pathyeshmërinë e tyre në grupin C. Djemtë e Joakim Lëvit treguan edhe një herë fuqinë e tyre si skuadër, pa u mbështetur tek individë të caktuar, duke mbajtur të paprekur edhe kreun e grupin.
Ndeshja – “Pancerat” e patën shumë të thjeshtë në pjesën e parë, me çekët thuajse të dorëzuar, sepse lëshuan terren dhe lanë gjermanët të luanin në gjysmëfushën e tyre. Miqtë kaluan të parët në avantazh që në fillim me sulmuesin e RB Lajpcigut, Timo Verner, por nuk arritën të ruanin rezultatin, sepse shpërdoruan shumë. Gjithsesi, pjesa e parë u mbyll në avantazh 0-1. Në të dytën, çekët shtuan ritmin e lojës duke u treguar shumë efikasë me lojën nga krahët, derisa Darira shpërbleu mundin e mesfushorëve duke shënuar një gol fantastik nga jashtë zone në të 78’. Megjithatë, Gjermania reagoi shpejt dhe Mats Humels shpëtoi skuadrën duke shënuar në të 88’ me kokë pas një krosi të Toni Krosit në goditje dënimi. Kampionët e botës u treguan cinikë dhe lanë me gojën hapur tifozët vendës, të cilët, me të drejtë, pritën minimumi një pikë, por në fund mbetën pa asgjë, pavarësisht se përfaqësuesja e tyre bëri një ndeshje të denjë.
Të tjerat – Në ndeshjet e tjera të grupit C, Norvegjia fitoi 2-0 ndaj Azerbajxhanit duke mbajtur vendin e katërt, ndërsa Irlanda e Veriut e pati krejtësisht të lehtë për të fituar ndaj San Marinos në transfertë (0-3).