Arsenal arriti ditën e djeshme një fitore mjaft të rëndësishme përballe Everton, me shifrat 2-0. Një fitore, që është e pesta radhazi për “topçinjtë” në të gjithë kompeticionet dhe e katërta në Premier Ligë.
Në merkaton e verës Arsenal transferoi nga Bajer Leverkusen portierin gjerman Bern Leno, por me sa duket trajneri spanjoll Unai Emeri vijon të besojë tek aftësitë e veteranit Petr Çeh. Çeku 36-vjeçar vijon të jetë titullar në portën e Arsenal, teksa në kampionat ka qenë titullar në çdo sfidë. Pikërisht portieri çek ka folur për mediat angleze pas sfidës ndaj Everton, ku është shprehur se nën drejtimin e Venger, Arsenal kishte harruar se si të fitonte Premier Ligë.
“Për çdo klub që ka fituar tituj në vitet e fundit, çdokush di se si të arrijë të fitojë qoftë edhe një ndeshje shumë të vështirë. Mund ta shohësh në çdo sport. Shikoni Tajger Uds në golf. Kanë kaluar 5 vite që kur ai ka fituar një trofe madhor. Sa më shumë kohë kalon aq më e vështirë bëhet. Arsneal ka më shumë se 10 vite pa fituar kampionatin, prandaj duhet të shohësh se çfarë duhet të bësh për tu rikthyer fitues”.
Gjithashtu portieri foli dhe për trajnerin e ri, Unai Emeri. “Me trajnerin e ri po ndryshojmë dhe po përmirësohemi shumë. Pak e nga pak po përvetësojmë dhe mentalitetin e fituesit, i cili na ka munguar si klub. Nën drejtimin e Venger kishim harruar se si mund të fitohet Premier Ligë. Në atë kohë më dukej sikur tek Arsenal ishte më e rëndësishme loja se sa pikët. Tani ne mund të fitojmë edhe sfida me lojë jo fort të mirë por 3 pikët janë ato çka numërohen në fund”, përfundoi Çeh.