Buzëqesh Juliano, Malota dhe Kalari të gatshëm

0

Të dy mbrojtësit kanë kryer analizat ditën e djeshme dhe kanë dalë me kontraktime. Juliano merr frymë lirisht. Fejzullahi nis terapinë

Ndeshja me Vllazninë ishte një fitore mjaft e rëndësishme për trajnerin Mark Juliano dhe Partizanin. 3 fitore në 3 ndeshjet e fundit, por si gjithçka edhe anën tjetër të medaljes, largimet e Malotës dhe Kalarit si të dëmtuar rritën frikën dhe shqetësimin në kampin e kuq. Kjo edhe për shkak të situatës aspak të mirë në repartin difensiv dhe mungesës së alternativa. Në krahun e djathtë është “huazuar” Progni, pasi Juliano nuk i beson Selvaxhios. Në qendër problemet e shfaqura nga Atanda dhe Ibrahimi nuk i japin siguri numrit një të stolit, ndërsa në krahun e majtë Kotobelli nuk i ka përmbushur pritshmëritë duke i lënë vendin e titullarit Kalarit. Të dy lojtarët janë zëvendësuar si të dëmtuar në ndeshjen e fundit dhe dje iu nënshtruan analizave specifike. Tekniku Juliano mund të marrë frymë lirisht, pasi të dy do të jenë të gatshëm për ndeshjen kundër Flamurtarit.

MALOTA – I pari që u zëvendësua ishte Malota. Ai i la vendin Atandës që në minutën e 51-ët, pasi nuk po arrinte të luante më. Frika për të ishte e madhe, pasi lezhjani vinte nga një dëmtim i mëparshëm në gju, por fatmirësisht nuk ishte gjuri problemi i tij. Burime pranë stafit mjekësor bëjnë me dije se Malota nuk ka asgjë më shumë se një kontraktim të lehtë dhe nuk rrezikon që të mos jetë i gatshëm. Ai do të vëzhgohet me kujdes nga stafi i kuq dhe do të nisë një program të kujdesshëm.

KALARI – Mbrojtësi i krahut të majtë u zëvendësua në minutën e 75-ët përsëri për shkak dëmtimi. Kalari i bëri vend Kotobellit, pasi ndjeu një shqetësim gjatë lojës. 33-vjeçari iu nënshtrua analizave dje dhe pati të njëjtën përgjigje si Malota. Ai do të jetë i gatshëm për teknikun Juliano, pasi ka vetëm një kontraktim. Shkalla e dëmtimit të tij është e lehtë kështu që nuk do të ndikojë në vazhdimësinë e tij. Ai së bashku me Malotën do të trajtohen më me kujdes se pjesa tjetër e ekipit në stërvitje dhe do të marrin gradualisht ngarkesën dhe afrimit me grupin.

FEJZULLAHI – Lajme të mira edhe nga mbrojtësi i krahut të djathtë Arbnor Fejzullahi. 24-vjeçari pas operimit që kreu në gju do të nisë terapinë. Preshevari ka kaluar fazën më të vështirë dhe ka marrë përgjigjen pozitive për të nisur fazën e rikuperimit të plotë. Natyrisht që nuk pritet t’i afrohet grupit shpejt, por nisja e rikuperimit nga ana e tij është një lajm mjaft i mirë.

SUKAJ – Sulmuesi është i dëmtuar, pasi në ndeshjen kundër Luftëtarit u detyrua të linte fushën, për shkak të një problemi që hasi në gju. Sukaj do të nisë rikuperimin këtë javë. Shkodrani e pohoi vetë para ndeshjes me Vllazninë.

Rikthehet Krasniqi, “blindohet” mbrojtja

Mbrojta është reparti që ka pësuar më shumë ndryshime gjatë këtij fillim sezoni. Tekniku Juliano nuk ka gjetur paqe deri tani, pasi ka bërë shumë ndryshime nga krahu i djathtë në të majtin, megjithatë në ndeshjet e fundit duket se ky repart po shkon drejt konsolidimit. Në sfidën kundër Vllaznisë ka munguar mbrojtësi Gëzim Krasniqi, ai ishte i skualifikuar për shkak të daljes me karton të kuq në takimin kundër Luftëtarit. Afrimi i shtatlartit me skuadrën qetëson edhe trajnerin Juliano që e sheh si titullar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.