Flamurtari është kthyer nga Turqia mbrëmë vonë dhe menjëherë është nisur nga Rinas për në Vlorë, duke spostuar vëmendjen te sfida e së premtes kundër Partizanit. Në Rinas për Supersportin folën kapiteni Tomisllav Bushiç dhe veterani Artim Pollozhani, të cilët u ndalën të merkatoja.
Bushiç
“Kemi kryer një fazë përgatitore të rëndësishme, për të punuar në qetësi dhe për të kryer stërvitje edhe me afrimet e reja. Janë lojtarë cilësorë, do të na ndihmojnë shumë”.
“Synimi? Duam të kthehemi në kupat e Europës, ky është prioriteti. Nuk përjashtoj asgjë, nëse do të ecim me ritëm të mirë dhe Skënderbeu do të gabojë, por së pari duam kualifikimin në Europa League”.
Pollozhani
“Kushte komode, fushat, hoteli, të gjitha. Ishte një fazë pozitive, kemi marrë ngarkesën e duhur dhe jemi përgatitur mirë për pjesën e dytë të kampionatit. Qëllimi i Flamurtarit është t’i marrë ndeshjet njëra pas tjetrës, të mundohemi të japim gjithçka për atë fanellë dhe objektiv të veçantë nuk ka ende, është shumë herët.
Afrimet? Janë pozitive, janë lojtarë me bagazh mjaft të mirë teknik, si Muarem dhe Gafuri, por edhe Nedeljkoviç e Zuka. Mendoj se do na ndihmojnë shumë për të rritur nivelin në pjesën e dytë të kampionatit”.