Trajneri i Shpresave kuqezi, Alban Bushi është i pranishëm në “Selman Stermasi”, ku edhe foli para derbit për mikrofonat e “Supersport”. Ish-sulmuesi i Tiranës, tha:
DERBI – “Të them të drejtën, atmosfera është fantastike dhe diçka e tillë shihet shumë rrallë. Ashtu siç është atmosfera në stadium, shpresoj të jetë dhe ndeshja në fushë. Lojtarët janë shumë të ngarkuar psikologjikisht, nga mediat, trajneri, dhe kur vijnë në fushën e lojës, nuk tregojnë dot aftësitë e plota. Tirana do të luajë pa presion, presion që do e ketë vetëm Partizani. Shpresoj që Tirana të jetë e qetë dhe të fitojë në derbi.”
KOMBËTARJA U-21 – “Do ishte e mira që t’i kishim të gjithë lojtarët U21 në kampionatin shqiptar, pasi i shikojmë më mirë. Megjithatë, edhe kaq sa kemi jemi shumë të kënaqur. Te Partizani dhe te Laçi, futbollistët po marrin minuta dhe jemi shumë të kënaqur. Derbi im i fundit? Kur humb ndonjëherë unë?! Nuk humb asnjëherë kundër Partizanit. Sot, është hera e parë që vij në stadium si tifoz gjatë një derbi dhe shpresoj të fitojë Tirana. Do e dëshiroja me zemër një fitore të Tiranës. Sa minuta do të luaja sot? Do i kërkoja Memës të mos më ndërronte asnjë minutë (qesh).”
CILËSITË – “Atmosfera është më e bukur sot. Tani çdo gjë ka ndryshuar dhe nuk mund të themi se më përpara ka pasur me shumë cilësi. Në kohën time, kemi pasur me shumë dëshirë dhe më pasion, tashmë ka më shumë ritëm dhe më shumë cilësi, jo vetëm te derbi, por te i gjithë kampionati shqiptar.”
FESTA E GOLIT – “Nëse do të shënoja, duhet me të kthehem shumë mbrapa (qesh). Bluza e Tiranës duhet ndjerë, edhe futbollistët e sotëm duhet ta dinë sa e rëndë është kjo fanellë. Kur unë mora për herë të parë fanellën e Tiranës, nuk e besoja. Kur e vesha për herë të parë, më dolën lot nga sytë.”