Nikollaj Kirov ka folur sot për mediat në Tiranë, në “Selman Stërmasi”, para stërvitjes së fundit të Botevit në prag të sfidës kundër Partizanit, të enjten ora 17.00.
Të luajturit në këtë orar mjaft të papërshtatshëm nuk e shqetëson shumë trajnerin bullgar: “Është njësoj për të dy ekipet. Nuk janë kushte optimale për të luajtur futboll, por kjo është situata dhe do mundohemi të marrim maksimumin.”
Kirov vlerëson Partizanin: “Është një kundërshtar me traditë në futbollin shqiptar. E dimë që në vitin e fundit Partizani bëri një paraqitje shumë të mirë në kampionat dhe në kupat e Europës. Sigurisht që kemi parë disa ndeshje nga sezoni i fundit dhe kemi pritshmëri, sepse kemi krijuar një ide për stilin e tyre të lojës.”
Gjithsesi, bullgarët nuk kanë frikë: ““Respektojmë Partizanin, si çdo kundërshtar tjetër me të cilin përballemi, por nuk kemi frikë. Presim një futboll agresiv nga ekipi vendas dhe qëllimi ynë kryesor është të marrim një rezultat të mirë për të qenë më të qetë në kthim. Do e luajmë kthimin 300 km larg Botevit? Jam i bindur se tifozët do të vijnë dhe do të ndihemi si në shtëpi.”