Bulku: Historia nuk do përsëritet, 70% e këtyre lojtarëve shkuan në Francë

Kombëtarja jonë do të zbresë përsëri mbrëmjen e nesërme në fushë, teksa do të luajë në transfertë ndaj Andorrës. Në kuadër të takimit, përpara mediave ka dalë në konferencë trajneri Ervin Bulku, i cili ka prekur disa tema.

TRAJNER I RI – “Duke qenë pranë skuadrës gjithmonë, mendoj se duhet harruar ndeshja kundër Turqisë dhe fjalët e shumta nuk kanë vlerë. Duhet ta fitojmë këtë ndeshje dhe të vazhdojmë rrugën tonë për në këto kualifikuese”.

PËRGJEGJËSI – “Jam ngarkuar me një përgjegjësi të madhe nga FSHF dhe presidenti Duka. Duhet të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje, lojtarët duhet të jenë në 100%, pasi pavarësisht se si e përgatisim ne një ndeshje, janë ata që zbresin në fushë dhe vrapojnë”.

HISTORIKU – “Ndryshimi i vetëm është që kjo ndeshjet duhet fituar me patjetër. Jam i bindur që do të fitojmë dhe historia e para 17 viteve nuk do të përsëritet”.

BALAJ DHE SADIKU – “Mbetet për t’u parë si është gjendja e tyre fizike dhe nëse do të luajmë me dy sulmues apo jo. Kemi dhe një seancë stërvitore dhe më pas do të vendosim”.

GJENDJA E LOJTARËVE – “Jemi munduar ta harrojmë sa më shpejt humbjen kundër Turqisë. Gjendja është shumë e mirë dhe jemi të fokusuar vetëm te fitimi i kësaj ndeshjeje”.

CILËSITË E LOJTARËVE – “Këto janë lojtarët. Këto janë ata lojtarë që bënë të lumtur gjithë shqiptarët kur shkuan në Francë, 70% e tyre është ende baza e formacionit. Janë çuna që dinë të dalin nga situatat e vështirë dhe shpresoj që nesër të rikthehen te rezultatet pozitive dhe të mposhtim Andorrën”.

ROLI I TRAJNERIT – “Mendoj që unë jam trajner i ekipit në këto momente që po flasim. Më kanë ngarkuar një detyrë dhe do të mundohem të bëjë maksimumin në këtë dëtyrë shumë të rëndësishme. Unë jam i ri dhe fati e Zoti më dhanë mundësinë të jem trajner i kombëtares, çka shumë trajner më me shumë eksperiencë se unë e ëndërrojnë. Shpresoj ta fitoj ndeshjen e parë si trajner”, përfundoi Bulku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *