Besa është në pritje të vendimit të Komisionit të Disiplinës. Goditja e anësorit Denis Rexha në takimin me Bylisin bëri që sfida të mbyllej para kohe. Fitorja në tavolinë e skuadrës së drejtuar nga Dovedan është minimumi. Ajo që ndodhi në Kavajë sigurisht që nuk ka gjetur mbështetje.
I ftuar në emisionin “Ditë të mbarë” në RTSH 2, ishte trajneri Dorian Bubeqi ai që ka komentuar ngjarjet e ndodhura në takimin Besa-Bylisi. Kavajasi është i habitur me sjelljen e tifozëve, që nuk kanë reaguar ashtu edhe në momente më të vështira të verdhezinjve.
“Nuk e prisja atë reagim nga publiku kavajas. Të gjithë duan të fitojnë. Drejtuesit duhet të kishin bërë më shumë, siç bënë duke bërë thirrje për të mbështetur skuadrën. Kavaja nuk e meriton një sjellje të tillë në stadium. Besa ka qenë edhe më keq, ka rënë nga kategoria, por nuk ka pasur sjellje të tilla”, ka deklaruar me të tjerave Bubeqi.
I pyetur nëse gurët e hedhur në fushë mund të kishin qenë vdekjeprurës, trajneri aktuali i Korabit deklaron: “Hedhjet sendeve në fushë ndodhin, por jo sa aty. Mund të ishin vrarës ata gurë. Dënimi? Mund ta kalojnë edhe me ndeshje në fushën e vet”, u shpreh Bubeqi.