Borxhet e Tiranës zhduken edhe nga QKB-ja

Olsi Avdiaj

Po të jetë e vërtetë, për Tiranën është një fillim i ri. Nga ekstrakti i QKB-së, shumë borxhe të klubit bardheblu, nuk janë më aktive, ndryshe nga muaj më parë. Duke filluar nga borxhi i Metush Seferit, Tatimeve, e me radhë, të gjitha detyrimet e klubit nuk figurojnë në ekstraktin e klubit Tirana. Vetëm 100 milionë lekë të vjetër borxhe mbajnë të bllokuar klubin, por që mesa kuptohet do të paguhen shumë shpejt. Premtimi i Bashkisë Tiranë dhe klubit bardheblu është bërë realitet. Më në fund skuadra bardheblu, por çlirohet nga “gangrena” që ka prej kohësh, ajo e borxheve. Edhe pse nuk është zyrtare, duket se me të gjithë borxhlinjtë, Tirana dhe Bashkia kanë nënshkruar nga një marrëveshje që të paguajnë me këste detyrimet që kanë ndaj tyre. Shkurt, Bashkia ka vendosur të paguajë gjithçka menjëherë prej 2013-ës dhe për vitet e fundit disa muaj më parë kërkoi rakordimin e borxheve. Gjithçka mesa kuptohet është mbyllur dhe Tirana ka arritur të paguajë disa nga borxhlinjtë me ndihmën e Bashkisë. Për borxhin me Tatimet, gjithçka u mor vesh para ndeshjeve të Europës, por mesa duket bashkia po zeron gjithçka. Aktualisht Tirana në statusin e saj, nuk ka aktivë dy borxhe të mëdhenj. I pari është ai i Metush Seferit dhe më pas Tatimet e kështu me radhë. Borxhet e mbetura nuk janë të vogla, por të papërfillshme, duke kujtuar një gjendje që vetëm në janar ishte alarmante.

Po çfarë është historia e borxheve te Tirana? Vetëm gjyqe civile dhe jo sportive, pa llogaritur interesat aktualisht Tirana ka 67 milionë lekë të rinj për t’u paguar. Mes tyre detyrimet janë për Metush Seferin, tatimet e mospaguara, kompani udhëtimi, dhe punonjës që duan pagën dhe sigurimet shoqërore. Të gjithë këta individë lojtarë, trajnerë dhe kompani i kanë bllokuar Tiranës llogaritë bankare dhe kanë vënë në sekuestro konservative asetet e saj. Shuma më e madhe për t’u paguar është(ishte) ajo e Metush Seferit. Ky i fundit ka fituar gjyqin me bardheblutë, në të gjitha shkallët dhe pretendon rreth 385 milionë lekë (të vjetër). Por kjo shumë pritet të rritet mbi 550 milionë lekë, pasi sipas vendimit të Gjykatës debitori (KF Tirana) do t’i paguajë paditësit (Metush Seferit) edhe kamatëvonesat. Nuk mbaron këtu: KF Tirana, përveç debisë ndaj kompanisë së Metush Seferit, do duhet të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, të cilat janë plot 7 milionë lekë. Gjyqi mes Metush Seferit dhe klubit të Tiranës e ka zanafillën shumë vite më parë, në kohën kur ky i fundit ishte president i skuadrës bardheblu (më saktësisht nga viti 1993 e deri më 1998), ndërsa shef klubi ishte Skënder Hyka. Të dy ish-zyrtarët e Tiranës kanë firmosur një kontratë, në mënyrë që të ardhurat në atë kohë të ndaheshin në mënyrë të barabartë, pra 50% klubi, po aq edhe presidenti, post që mbahej nga Seferi. Pas afrimit në krye të klubit si president në 1998-1999 të Lutfi Nurit dhe më pas të El Sajed (1999-2003), Seferi kërkoi kthimin e shumës së parave që kishte investuar përtej kontratës së dakorduar me Bashkinë e Tiranës për skuadrën bardheblu. Kësisoj, në emër të kompanisë, Seferi e çoi çështjen në gjyq, duke kërkuar kthim të parave. Pas disa seancave gjyqësore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesë-padisë së ngritur nga Metush Seferi, duke u vendosur edhe detyrimet përkatëse. Vendimi i Gjykatës asokohe u ankimua nga palët dhe në Gjykatën e Apelit Tiranë, u vendos lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Ndryshimi i vetëm ishte caktimi i saktë i shumës që i padituri, në rastin konkret KF Tirana, duhej t’i paguante paditësit, shoqërisë tregtare “International Trade” sh.p.k, shumën prej 38,464,753 lekë (të rinj), si dhe interesat bankare nga janari i vitit 2000 deri në maj 2007 (ditën e daljes së ekzekutimit të vendimit), por edhe më shumë sepse kanë kaluar tanimë 10 vite të tjera. Palët nuk u mjaftuan me kaq, pasi KF Tirana e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit në një vendim lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për shlyerjen e detyrimit nga KF Tirana karshi shoqërisë së Metush Seferit. Gjithsesi, situata duket se po rregullohet dita-ditës, për të mos thënë se bardheblutë janë, duke dalë mbi sipërfaqe dhe kanë paguar një pjesë të borxheve që i kanë pasur ish-presidentit bardheblu.

 

1 miliardë lekë të vjetër mendohet se ka qenë borxhi i Tiranës ndër vite

 

Tirana kërkon zëvendësuesit e merkatos

 

Planet për të shitur sërish futbollistë në janar ose në verë bëjnë që bardheblutë të mendojnë për ata që do të jenë në ekip në sezonin e ardhshëm

 

Olsi Avdiaj

Është e sigurt! Shumë nga lojtarët aktualë të Tiranës, duke filluar nga Albi Doka e të tjerë, pritet të jenë pjesë e merkatos. Në këto kushte Tirana është duke menduar për zëvendësuesit nga kampionati shqiptar. Prej javësh klubi është duke piketuar shumë lojtarë, që mund të jenë zëvendësuesit e mundshëm të atyre lojtarëve që Tirana mendon t’i shesë në merkato. Duke filluar që nga talentet e Gjirokastrës e me radhë, Tirana shpreson që të afrojë sa më shumë futbollistë të rinj dhe me të ardhme për të qenë sa më kompetitiv në sezonin që të ngjit në Superligë.

Të huajt me opsion rinovimi

Të gjithë lojtarët e huaj, që kanë mbërritur deri tani te Tirana kanë firmosur kontrata dy-vjeçare dhe më shumë. Vetëm Majkëll Ngo ka firmosur një kontratë, vetëm për një sezon, por me idenë që nëse ia del të bëjë mirë, atëherë futbollisti mund të qëndrojë bardheblu. Përsa i përket Mauexhes, Kalusë, Uellisonit, Binguilës e lojtarëve të tjerë të huaj të gjithë do të jenë edhe në Superiore për sezonin e ardhshëm.

 

Nis java e sezonit

Nga e hëna e në vazhdim, bardheblutë do të nisin javën e madhe, atë që të Kategorisë së Parë. Kështu skuadra e drejtuar nga trajneri Ze Maria do të nisë përgatitjet për kampionatin, por edhe Kupën e Shqipërisë. Duke mos lënë mënjanë Besën, skuadrën historike me të cilën luan në Kupë, Tirana është e fokusuar te ndeshja e kampionatit. Bardheblutë presin Ilirinë e Fushë-Krujës në ndeshjen hapëse të Kategorisë së Parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *