Trajneri italian i Sherifit, Roberto Bordin, ka mbetur mjaft i kënaqur nga kualifikimi i vuajtur në Elbasan, por nuk është dakord të thuhet që fati ishte me Sherifin. Sipas tij, 180 minutat kundër Kukësit duhen analizuar në tërësi dhe Sherifi e meritoi kualifikimin. “Mendoj se e kemi merituar kualifikimin, sepse llogariten të dyja ndeshjet. Patëm raste pa fund në Tiraspol, në kthim reaguam mirë pas golave të pësuar, shënuam dhe mund të barazonim, ndërsa në fund vuajtëm edhe për faktin se luajtëm me një lojtar më pak dhe fati na ndihmoi. Gjithsesi, e përsërit, nëse bëhet bilanci total, e kemi merituar kualifikimin. Kam dyshime për golin e dytë të Kukësit, ndoshta ishte pozicion jashtë loje. Mos të harrojmë që pas golit tonë luajtëm shumë mirë dhe krijuam lojë e raste të shumta, duke mos shënuar dol golin e barazimit. Jam i kënaqur nga skuadra, tregoi forcë të madhe psikologjike”.
Në lidhje me Kukësin: “Mendoj se ekipi i Kukësit nuk na surprizoi, e dinim çfarë na priste. Kukësi është ekip shumë i mirë, ishte shumë i organizuar dhe i drejtuar me shumë zgjuarsi nga trajneri i vet, që ka bërë një punë të shkëlqyer dhe e kërkoi fitoren deri në fund. Kukësi është ekip që luan mirë në grup, na vuri në vështirësi të mëdha, nuk mund të veçoj një lojtar të Kukësit”.