Duket se dita e sotme do të jetë ajo e zyrtarizimit të transferimit të Leonardo Bonuçit nga Juventusi te Milani. Lëvizja më e bujshme e verës në Serinë A, që dukej e pamundur deri para 2 ditësh, tashmë është realitet, sepse mungojnë vetëm detajet e fundit.
Mbrëmë vonë kanë vazhduar bisedimet mes Milanit dhe agjentit të Bonuçit, Alesandro Luçi, duke gjetur marrëveshjen që e çon mbrojtësin më të mirë në Itali te Milani, pas 6 titujsh rresht me Juven.
SHIFRAT – Operacioni i bujshëm konfirmon atë që është kuptuar prej muajsh: Milani i ri është tepër ambicioz, krejt ndryshe nga ai i Berluskonit në vitet e fundit. Për Bonuçit është gati një kontratë me 7.5 milionë euro në vit, plus 2.5 milionë bonus. Juventusi kërkon 40 milionë, Milani ofron 35: 5 milionë distancë, asgjë e madhe.
PËRSHENDETJA – Bonuçi shkoi sot në mëngjes në qendrën stërvitore të Juventusit në Vinovo, por qëndroi shumë pak, ndoshta për t’u përshëndetur për herë të fundit me shokët e tij. Në 9.45 mbrojtësi u largua, duke shkuar në selinë e Juves, së bashku me prokuratorin Luçi. Sot pritet në Milano, aty ku bashkëshortja e tij po kërkon shtëpi me urgjencë, ndërsa administratori i deleguar kuqezi Marko Fasone e pret dhe ka bërë gjithçka gati
Musakio, Kesie, Rodrigez, André Silva, Borini, Konti, Çalhanoglu, Antonio Donaruma e Bilia, tani edhe Bonuçi. Është kthyer Milani i vërtetë!