Leonardo Bonuçi po kalon një formë të mirë dhe po arrin të rifitojë pak e nga pak tifozët e Juventusit. Situata është qetësuar pas rikthimit të tij nga Milani, gjë që solli kritika të shumta nga tifozëria bardhezi.
Goli i shënuar ndaj Napolit solli duartrokitjet e para për mbrojtësin, ndërsa qëllimi i 31-vjeçarit është të bëjë tifozët të thërrasin përsëri emrin e tij në kor, ashtu siç bënin përpara se të largohej për një sezon drejt kuqezinjve të Milanit.
Bonuçi ndalet dhe te ekipi aktual, djali i tij Lorenco, i cili është një tifoz i thekur i Andrea Belotit dhe Torinos si dhe e mbyll me largimin e Bepe Marotës nga bardhezinjtë.
Juventusi më i fortë? – “Po, ky është ekipi më i fortë dhe me karakterin më të mirë. Ka ndryshuar mentaliteti i qasjes së ndeshjeve që, të paktën në letër, duket më e thjeshtë. Kemi vendosmëri më të madhe, ‘ligësi’ për të fituar dhe uri. Ky është një hap i mëtejshëm në rrugën tonë të rritjes.”
I biri, Lorenco – “Siç e dini, Lorenco është një tifoz i Belotit dhe simpatizon Torinon. Në fund të sezonit të kaluar bëri një provë te Torino dhe kjo gjë i pëlqeu. Ai ka mbushur gjashtë vjeç dhe mund të regjistrohej në shkollën e futbollit të Torinos. Nuk shoh asnjë problem për një zgjedhje të tillë. Rëndësi ka që ai të zbavitet dhe të mos vuajë nga hija e babait të tij.”
Asisti për Dibala – “Kur arrin të bësh një gjë kaq të vështirë, është lumturi e madhe. Më pëlqen t’i kthej të thjeshta gjërat e vështira, por ndonjëherë bëhen gabime dhe në gjërat më të thjeshta, siç më ndodhi me Napolin. Megjithatë, duhet të rritem dhe përmirësohem, sepse e humbas përqendrimin ndonjëherë.”
Gjendja e skuadrës – “Sezoni është i gjatë dhe do të ketë shumë momente të vështira. Tani duket gjithçka e thjeshtë, por rrugëtimi jonë nuk do të jetë gjithmonë si ky. Duhet të jemi gati fizikisht dhe psikologjikisht, sepse mes marsit dhe prillit do të luajmë gjithçka.”
Largimi i Marotës – “Sa më përket mua, largimi i tij më ka lënë një boshllëk. Kush e ka marrë këtë vendim me siguri do të ketë arsyet e tij, por i uroj fat në të ardhmen.”