Mbrojtësi i Milanit, Leonardo Bonuçi, nuk e fsheh kënaqësinë për fitoren e thellë ndaj Shkëndijës, edhe pse nuk pranon elozhe të tepruara: “Ka ende disa gjëra që duhen përmirësuar në fazën kur nuk kemi zotërimin e topit, por jemi në rrugën e duhur. Të marrim gjithçka ishte e mirë, por të shohim edhe gjërat negative. Ishte një ndeshje e bukur, një emocion i veçantë të luaja për herë të parë në San Siro, me ngjyrat kuqezi. Sidomos minutat e para ishin vërtet emocione të mëdha. Skuadra punoi shumë, morëm një fitore me shumë vlerë, që na lejon të shohim para me pozitivistet”.
Tashmë një lider te Milani, Bonuçi flet edhe për Juventusin, pasi Marota deklaroi dje se Milani është rivali i madh për titull: “Bepe tha që jemi edhe ne favoritë? Do të thotë që Juventusi na e ka frikën. Megjithatë, duhet të punojmë shumë për të arritur nivelin e tyre. Para ndeshjes kërkova t’i them skuadrës që nuk ekzistojnë ndeshje të lehta, në çdo sfidë duhet zbritur për të fituar, por nuk është se u thashë ndonjë gjë të re, e dinin”.