Te Crvena Zvezda duket se kanë lajthitur, pasi më 30 tetor kanë planifikuar të vëzhgojnë nga afër Kamer Qakën, mesfushorin e kombëtares shqiptare. Futbollisti 23-vjeçar është pjesë e Poli Iashi në Rumani, por kartonin e tij e zotëron Steaua e Bukureshtit (FCSB).
Sipas asaj që raporton “Fanatic.ro”, në ndeshjen e kupës mes Poli Iashit dhe Vitorul, përfaqësues të klubit serb do të jenë në stadium për ta vëzhguar. Por ka edhe lajme të tjera: Real Saragoza i rikthehet interesimit për Qakën. Por tani duket edhe më e vështirë, duke pasur parasysh se ata nuk e blenë në verë dhe FCSB ka paguar 400 mijë euro Qakën dhe kartoni i tij është i shtrenjtë për spanjollët që garojnë në Segunda Division.
PROBLEMI – I pari ka të bëjë me faktin që Kamer Qaka është shqiptar dhe Crvena Zvezda do të kishte probleme për tifozët nëse do ta bënte diçka të tillë. Madje është e habitshme se si nuk kanë reaguar deri më tani. Me siguri lajmi në Serbi nuk ka mbërritur ende.
Një tjetër pikë që vlen për t’u përmendur është fakti që Qaka nuk mund të transferohet në asnjë ekip tjetër (përveçse te FCSB) në janar. Rregullorja e FIFA-s është ë qartë: brenda një sezoni një futbollist nuk mund të aktivizohet në më shumë se dy ekipe.