Lajm i bujshëm nga Kukësi: Siraj Naser nuk është më pjesë e klubit kampion.
Mesfushori Siraj Naser ka ndërprerë bashkëpunimin me skuadrën e Kukësit. Izraeliti ka rënë dakord bashkërisht me klubin për të mbyllur aventurën e tij me kampionët e Shqipërisë. Lojtari largohet me një shtrëngim duarsh nga skuadra verilindore.
26-vjeçari u afrua në skuadër para ndeshjeve të Champions League ku dha edhe kontributin e tij për pak minuta. Ai po zhvillonte fazën përgatitore me skuadrën në Ohër, por tashmë aventura e tij me Kukësin është mbyllur. Kukësi e falënderon për kontributin e tij me skuadrën verilindore dhe i uron suksese të mëtejshme në karrierën futbollistike.
Naser erdhi me bujë në verë dhe për ta bindur, klubi i ofroi kontratë shumë të lartë. Më pas, rendimenti i tij nuk e bindi klubin, që ditët e fundit kërkoi t’i ndryshonte kushtet e kontratës, por tashmë është arritur marrëveshja për zgjidhjen e kontratës, ndërkohë që nuk dihet ende nëse mesfushori ka marrë ndonjë dëmshpërblim. Paga e tij ishte mbi 8000 euro, por pas spanjollit Serran, edhe atij i tregohet dera, aq më shumë që Kukësi ka shumë futbollistë në mesfushë.