Futbollistët e Egnatias kanë ditë që nuk dalin në stërvitje. Arsyeja lidhet me pagat dhe gjithë këtë situatë të krijuar, futbollisti Amarildo Dimo e quan një mashtrim të hapur që bëhet ndaj tyre. Për SportEkspres.com, fieraku deklaroi se as në ndeshjen e radhës nuk do të shkojnë nëse nuk marrin pagat e prapambetura.
“Të gjithë futbollistët e Egnatias kanë tre muaj pa u paguar, por kjo situatë ka pesë muaj që ka nisur vetëm me mashtrime. Nuk i kuptojmë se si mundet që të bëjnë futboll këta drejtues që gënjejnë javë pas jave, ndërsa ne na detyrojnë që të ‘ngopemi’ me mashtrimet e tyre.
Ne kemi bojkotuar stërvitjen dhe po presim që të na paguajnë. Nëse vonohen deri në ndeshjen e radhës, ne nuk do shkojmë në Lushnjë”, theksoi Dimo. Në ndeshjen me Besën, rrogozhinasit po fitonin 0-2 në pjesë të parë dhe më pas ndeshja u përmbys në 3-2. U tha se lojtarët nuk u angazhuan pikërisht prej pagave, por sërish nuk pati asnjë reflektim dhe futbollistët presin ende të paguhen.
AGRON KAJA