Bogdani: Unë dhe Bushi duam kohë, revolucioni nuk vjen si me çelës!

 

Ish-bomberi kuqezi është ndalur në kuotën 18 “rrjeta”, teksa e ndjek sulmuesi që ka shkuar 11 me dopietën në Turqi: “Rekordet janë bërë të thyhen. Loja në sulm e Panuçit do ta ndihmojë

Nga Anton Cicani

E ka ndjekur nga shtëpia, si tifoz dhe ka duartrokitur… Erjon Bogdani sot është ende golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares, por Armando Sadiku, që pikërisht nga “Bogu” u stërvit për ndeshjet në Francë 2016, ka shkuar në 11 gola dhe është ende i ri për të treguar se ai rekord me 18 gola mund të thyhet. Por, për ish-sulmuesin nuk është problem dhe e konfirmon në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres”, duke mos harruar të flasë edhe për krahasimin De Biazi-Panuçi dhe për rindërtimin e futbollit shqiptar dhe kombëtaren.

E keni ndjekur miqësoren Turqi-Shqipëri?

Sigurisht që po dhe jam i kënaqur, ashtu si çdo shqiptar, me suksesin, edhe pse nuk ishte një ndeshje zyrtare. Sa herë kuqezinjtë fitojnë, është diçka e bukur.

Kombëtarja e Shqipërisë ka qenë një lëkurë e dytë për ty, teksa plot pesë vite më parë, do të shënoje golin e fundit (atë numër 18). Ishte ndeshja me Qipron dhe në atë ndeshje ku t’i tregoje fanellën gjatë festës, në fushë ishte edhe një djalosh shumë më i ri, që shënoi golin e tij të parë: Armando Sadiku…

Po, e mbaj mend shumë mirë atë ndeshje, qoftë edhe sepse luhej në “Qemal Stafa”, një stadium emblemë për shumë aspekte.

Ai sot të ka në shënjestër, sepse ndaj Turqisë ka realizuar dopietë dhe tani është 11 gola. Pra, 7 më pak se sa rekordi yt. A jeni i frikësuar se mund t’iu kalojë dhe vendosë një rekord të ri?

Aspak. Për mua nuk ka asnjë problem, duke qenë se rekordet janë bërë për t’u thyer. Sidomos, sepse duke qenë se jam golashënuesi më i mirë, tani jam edhe tifoz i parë i përfaqësueses. Do të më bëhej qejfi, jo vetëm për Sadikun, por edhe Cikalleshin dhe Balajn. Të tre i njoh. Do të më bëhej qejfi për Sadikun, nëse thyen rekordin tim dhe do të ndihmonte Shqipërinë për të shkuar sa më larg, pse jo edhe në Europianin e 2020. Sepse, ajo që përjetova në Francë si ndihmës i De Biazit ishte diçka e jashtëzakonshme. Pra, duke qëndruar te Sadiku, i uroj sa më shumë fat dhe gola.

Si të duket Shqipëria e Panuçit, nisur edhe nga miqësorja e fundit dhe fakti që, në ndryshim nga De Biazi, tani luhet më shumë në sulm se sa qëndrohet mbrapa?

Po, e vërtetë. Ka ndryshim sepse Panuçi po i jep kombëtares theks më sulmues. E ka treguar edhe në ndeshjen e fundit, edhe pse pjesa e dytë ishte e vështirë, duke qenë se luajtëm me dhjetë. E megjithatë, shënuam golin e tretë. Këto miqësore i shërbejnë trajnerit të njohë lojtarët dhe të krijojë ide, nisur edhe nga afrimet e fundit. Megjithatë, nga ajo që kam parë në ndeshjet e Panuçit, e përsëris që ai synon më shumë te sulmi, por ka ende gjëra për të përmirësuar, nisur edhe nga golat e pësuar ndaj Turqisë. Por, t’i shënosh tri gola Turqisë në fushën e saj nuk është e lehtë, ndaj zhvilluam një paraqitje mjaft të mirë.

Nga De Biazi te Panuçi, beson që rruga është e njëjtë, sa i përket revolucionit dhe afrimeve të reja në kombëtare, apo është diçka tjetër?

Nuk e di nëse do të jetë rruga e De Biazit apo e Panuçit, por lojtarët e rinj shtojnë konkurrencën në ekip. Pastaj, nëse ata aktivizohen në skuadrat e tyre, aq më mirë. Ndeshjet miqësore shërbejnë edhe për trajnerin, siç e thashë, për të parë formën dhe cilësitë. Ai ka parë dhe “të vjetrit”. Ai do të ketë idetë e qarta kur të vijnë eliminatoret e Euro 2020.

Të ndalemi te një tjetër temë e rëndësishme: pas dështimit të U-19 që ju drejtoni, edhe U-21 e Bushit po has vështirësi, edhe pse lojtarët janë më të rritur. Mendon se është mungesë eksperience nga ju dhe Bushi, apo thjesht i duhet dhënë kohë një projekti tekniko-taktik, që të ecet përpara?

Mendoj që duhet kohë që një projekt të ecë përpara. Megjithatë, nuk them që unë dhe Bushi nuk kemi përvojë për të qenë trajnerë. Flas për veten, po informohem dhe shoh trajnerë se si punojnë. Objektivi është të çojmë sa më shumë lojtarë të ekipit të parë, si edhe Shpresat. E kemi të vështirë të përballohemi me ekipet elitë. Flas për U-19. Po të shohësh ndeshjet, ndaj Ukrainës, Malit të Zi dhe Norvegjisë, Ukraina është në vend të gjashtë në renditje, por edhe Norvegjia ka lojtarë që luajnë në Champions e të rinjve. Lojtarëve tanë i mungojnë këto ndeshje. Varet edhe nga brezi. Por, besoj se brezi i vitit 2000 do të jetë më gati. Duhet të synojmë kualifikimin, por edhe t’i ndjekim të rinjtë, për të bërë një punë më të madhe dhe të arrijmë vendet e tjera.

Cana, shok i yti në kombëtare, tha pa doreza: mungon infrastruktura në futbollin shqiptar. Ju e dini mjaft mirë, sepse jeton më shumë në vendin tonë. A mendon se ky është ngërç, që pengon “peshkimin” e futbollistëve me perspektivë?

Jam dakord me atë që thotë Loriku, sigurisht, por duhet theksuar edhe se gjërat në Shqipëri, sa i përket futbollit, po rriten. Por, mos prisni që ndodhë si puna e çelësit që hap dhe fik dritën. Nuk kemi nivelin e Italisë, Gjermanisë e kështu me radhë. Nëse marrim kombëtaret, moshat, shohim se nga baza materiale, planimetria, grumbullimet, transfertat, por edhe sidomos organizimi, janë përmirësuar dukshëm. Këtë e them pas eksperiencës te ekipi kombëtar, si zëvendës trajner. Mos harrojmë që sot kemi shumë fusha stërvitje për ekipin kombëtar. Këto po i afrohen shumë ekipeve të tjera. Edhe te U-19 po bëjmë organizime. E përsëris, mos prisni ndryshim radikal. Duhet kohë dhe durim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online