Ismet Sinani dëshpërohet dhe paralajmëron mbylljen e dyerve për Shqipërinë, por Erjon Bogdani i qëndron besnik zgjedhjes së tij dhe shpjegon pse futbollisti i Milanit nuk është pjesë e Shqipërisë U-19 për kualifikueset e muajit të ardhshëm. Sipas trajnerit kuqezi, zgjedhja është bazuar vetëm në bazë të aktivizimit, që e penalizon Sinanin: “Sinani duhet të mërzitet me veten e vet, sepse ka shumë lojtarë që janë mërzitur si ai në lidhje me grumbullimin e kombëtares. Për fat të keq, nuk mund të regjistroj më shumë se dy 20 lojtarë në listat e UEFA-s. Sinani është provuar më parë te Shqipëria, ka luajtur në formacion edhe në turneun që kemi luajtur në Itali. Tani ai u fut 15 minuta në ndeshjen e fundit me Milanit dhe shënoi në fundin e takimit, por realisht ai ka luajtur vetëm 40 minuta me Milanin dhe ka 8 muaj që nuk ka luajtur fare”.
Për Bogdanin, Sinani bën mirë të mendohet dhe të ketë durim, sepse karriera me kombëtaren nuk nis te 19-vjeçarët apo 21-vjeçarët. Vetë Bogdani kujton karrierën e vet si shembull: “Është zgjedhje personale, nuk kam ç’ti them, por nëse Sinani do të vazhdojë të ecë përpara, nuk ka asnjë problem, ai do të jetë gjithnjë në fokusin e Shqipërisë. Unë e kam edhe nga eksperienca personale, kam luajtur shumë ndeshje me ekipin kombëtar, por nuk kam luajtur asnjë ndeshje me kombëtaren U-19. Kjo tregon që çdo gjë varet nga djemtë, nëse rriten në karrierë, do t’i bëjnë vend vetes gjithmonë. Për momentin ai ka luajtur shumë pak te Milani, ndaj nuk e kam përzgjedhur. Ka edhe lojtarë të tjerë, një lojtar te Sasuolo ka shënuar, por nuk kam mundur ta ndjek nga afër, ndaj nuk e grumbullova, sepse do të doja ta shihja në ndeshje e stërvitje. Nuk ekziston asnjë çështje Sinani, kam qenë i pari që e kam grumbulluar dhe aktivizuar. Milani nuk e ka aktivizuar dhe ka dashur ta shesë, por ka edhe një vit kontratë aty. Nëse do të ecë përpara në karrierë, do të jem i pari që do të më bëhet qejfi për të”.