Mungesa në listën U-19, talenti i Milanit: Ndoshta nuk vij më!

Ismet Sinani, cili shënoi vetëm dy ditë më parë, indinjohet për mosgrumbullimin nga Bogdani: Nuk e prisja, kam gjak shqiptari dhe jam patriot. Kosova U-21 më ka bërë ftesë

Anton Cicani

Trajneri i Shqipërisë U-19, Bogdani, ka publikuar dje listën e futbollistëve për kualifikueset e Europianit të kësaj kategorie moshe. Por, ajo që bie në sy në listën e lojtarëve, është mungesa e një talenti në veçanti, që vetëm dy ditë më parë do të shënonte një supergol me Milanin Primavera, pra të rinjtë, në fitoren e parë të epokës “Gatuzo”. Bëhet fjalë për sulmuesin 18-vjeç, Ismet Sinani, i cili është rritur te Akademia kuqezi dhe që shihet si ndër më të talentuarit për të ardhmen. Madje, edhe trajneri Montela e ka pasur parasysh. “Sport Ekspres” ka kontaktuar menjëherë me futbollistin që është nga Celina e Kosovës. Ai ka shprehur indinjatën për këtë mosgrumbullim dhe ka rrëfyer edhe shumë sekrete të tjera, raporti me Gatuzon, Montelën, por edhe ëndrrat e tij dhe idhulli që ndjek, apo pasioni për futbollin…

Si ndihesh pas golit të parë këtë sezon me Milanin dhe sidomos pasi keni hasur vështirësi në javët e para dhe gjetët fitoren në Bolonja?

Jam shumë i lumtur për këtë gol që kam bërë sepse ndihmova ekipin të fitonte dhe për t’i marrë 2 pikët dhe gjithsesi për veten time.

Kujt ia dedikon këtë gol?

Këtë gol ia dedikoj familjes dhe veçanërisht tim eti, Nderim, dhe nënës time, Selvije, sepse ata më kanë qëndruar gjithmonë pranë në çdo moment dhe për motivin që jam shumë i lidhur me ata.

Çfarë të tha trajneri Gatuzo dhe shokët e skuadrës?

Trajneri ishte shumë i lumtur me paraqitjen dhe me golin, ndërsa shokët më përqafonin pa fund mbas ndeshjes dhe bënin shaka me mua duke thënë se tani duhet t’i qerasja.

Si është raporti  me mister Gatuzon dhe sekretet që të mëson ai, duke qenë se flasim për një ish futbollist model dhe sidomos që ka fituar shumë trofe?

Trajneri është një person që nuk flet shumë me lojtarët jashtë fushave, por në fushë jep shpirtin e tij për të na shpjeguar gjërat. Ai më thotë të përqendrohem dhe të bëj lojë për skuadrën dhe normalisht të bëj sa më shumë gola.

Bogdani sqaron: Zgjedhje teknike, Sinani ka luajtur shumë pak te Milani

Je rritur te Milani dhe Montela të ka marrë edhe në grumbullimin e ekipit të parë. Si u ndjeve dhe a ëndërron që një ditë të ndjekësh gjurmët e Donarumës, Kutrones, Lokatelit apo Kalabrias?

Po, Montela më ka thërritur disa herë me ekipin e parë të Milanit, ajo është ëndrra ime, pra të ndjek gjurmët e Donarumës dhe të tjerëve të sipërcituar dhe do të punoj fort për të arritur këtë, sepse është e vetmja gjë që dua.

Ndërkohë, te Milani i vlerësuar, por me Shqipërinë U-19 nuk jeni thërritur

Me kombëtaren shqiptare jam shumë i lidhur, kam ndërruar edhe pasaportën kosovare për të marrë atë shqiptare, sepse jam shumë patriot dhe e dua me zemër flamurin kuqezi, por trajneri Bogdani vendosi të mos më grumbullonte për kualifikueset e U-19 dhe mendoj se do të jetë e vështirë që të kthehem me Shqipërinë, pasi nuk e prisja këtë gjë. Nuk harroj të tregoj se jam shqiptar i Kosovës nga Celina dhe Kosova U-21 më ka ftuar. Të shoh bashkë me familjen time se cila do të jetë zgjedhja që do të bëj.

Ka pasur tentativa nga federata italiane për të të provuar te Italia U-19?

Jo, Italia kurrë nuk më ka thirrur.

Cili është shembulli që dëshiron të ndjekësh, ishulli apo lojtari që të frymëzon?

Idhulli im është Kristiano Ronaldo, por unë frymëzohem nga Levandovski.

A mund të na tregoni se si nisi pasioni për futbollin?

Nisi që në moshën 6 vjeç, sepse kuptova menjëherë që futbolli është sporti që dua dhe më pëlqente jashtëzakonisht. Prej atyre ditëve jam stërvitur dhe nuk e kam lënë kurrë. Madje, shpesh më kujtohet kur e mbaja edhe topin poshtë krevatit.

Ke shansin të bëhesh futbollisti i parë shqiptar që mund të luajë me ekipin e parë të Milanit. A ndjen presion?

Siç edhe thashë më parë, ëndrra ime është të luaj me ekipin e parë të Milanit. Po punoj shumë për t’ia arritur dhe e di që është e vështirë, por shoh shqiptarët që më qëndrojnë pranë dhe më përkrahin shumë. Nuk ndjej presion, sinqerisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online