Javët e fundit lajm dite ka qenë historia e rinovimit të Donarumës me Milanin. Portieri kuqezi refuzoi, duke kërkuar pagë më të lartë se 5 milionë eurot e ofruara nga Milani, ndërsa agjenti Mino Raiola bëri gjithçka për të arritur synimin, që ishte një kontratë “faraoni” për Donarumën dhe bonus të madh për vete.
Në lidhje me këtë çështje ka folur një legjendë e Milanit, Zvonimir Boban, i cili tani punon në FIFA si zëvendëssekretar i përgjithshëm dhe paralajmëron masa nga qeveria e futbollit, që kërkon të frenojë çmendurinë e milionave që marrin agjentët.
“Më është pështirosur kjo histori. Jemi të gjithë përgjegjës për mënyrën si është trajtuar Donaruma dhe për faktin që nuk kemi ndërhyrë në këtë çmenduri. Edhe ata pranë tij kanë faj, sepse mendojnë milionat dhe jo ndjenjat e djaloshit, i cili është ofenduar pa fund këto kohë, jo për fajin e vet. Janë gjëra që mbeten përjetë në mendje, uroj ta kalojë këtë dhimbje, sepse kjo histori nuk do të harrohet. FIFA do të ndërhyjë, nuk mund të kemi histori të tilla, ku agjenti merr miliona, jashtë çdo logjike”.
Boban ka komentuar edhe merkaton e Milanit: “Ka blerë lojtarë të mirë, por jo fenomenë. Te Milani mund të vuash, nëse je thjesht i mirë”.