Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani u larguan nga kombëtarja sot dhe nuk do të jenë në ndeshjen që Shqipëria luan kundër Izraelit. Për këtë arsye trajneri Kristian Panuçi ftoi Sabien Lilaj dhe Ivan Balliun, por ky i fundit nuk do të vijë në grumbullim.
FSHF ka njoftuar përmes një deklarate, teksa sqarohen edhe arsyet se pse mbrojtësi i Metz nuk mund të vihen në urdhrat e trajneri Panuçi në ndeshjen e së dielës. Kështu, për krahun e djathtë të mbrojtjes, vetëm Hysaj është në dispozicion të teknikut italian.
“Mbrojtësi i skuadrës franceze të Metz, Ivan Balliu i cili është thërritur paraditen e sotme për të qenë pjesë e ekipit kombëtar për shkak të dëmtimit dhe largimit të Frederik Veselit, nuk mund të jetë në dispozicion të skuadrës dhe trajnerit për këtë ndeshje.
Trajneri i klubit te Metz ka kërkuar që mbrojtësi Balliu të mos largohet duke qenë se i duhet ta ketë në stërvitje për të përgatitur takimin e radhës në kampionat. Sipas argumentimit të dhënë, trajnerit të Metz i janë larguar 8 lojtarë në ekipet kombëtare dhe kështu ka vendosur që Balliun ta ketë me grupin e mbetur.
Zëvendësimi i paparashikuar për shkak të dëmtimeve të lojtarëve në miqësoren me Jordaninë, si dhe ftesa karshi klubit dërguar së fundmi (dhe jo si çdo ftesë 14 ditë përpara grumbullimit) ka bërë që trajneri të mos i japë leje. Balliu nuk do të zëvendësohet me askënd tjetër, teksa ekipit pritet t’i bashkohet sot në mbrëmje vetëm Sabien Lilaj”, shkruhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.