Pas largimit nga pankina e Tomorit në Kategorinë e Parë, për Bledar Devollin u deshën vetëm dy javë që të gjente skuadrën e re. E këtë herë një kategori më sipër, pasi dy ditë më parë ka gjetur akordin dhe mbështetjen e plotë të presidentit të Kastriotit, Alban Vogli. Në vëzhgimin e tij të parë që i bëri skuadrës, Devolli ka konstatuar se ka elementë të mirë, por për të arritur synimin e mbijetesës në Superiore, ai kërkon përforcim me 5-6 lojtarë.
Për SportEkspres.com, Bledar Devolli deklaron se të gjithë në Krujë janë të bindur te mbijetesa. “Për sa kohë edhe matematika e pranon, pse të mos shpresojë edhe Kastrioti te mbijetesa?! Të gjithë janë të bindur se do të qëndrojmë në Superiore dhe kjo do të vijë pas përforcimit të ekipit me 5-6 lojtarë të rinj. Unë kam kërkuar ‘burra’, në kuptimin sportiv, dhe e kam marrë miratimin”, kështu deklaroi trajneri i ri i Kastriotit, Bledar Devolli.
Nesër, Devolli do të ketë stërvitjen e parë me skuadrën e Kastriotit, të cilën ai e mendon më shumë organizative, pasi në mesjavë do të nisë një minifazë përgatitore këtu në Shqipëri, por vendin ende nuk e kanë të përcaktuar.
Në dy fazat e para të Kategorisë Superiore, Kastrioti ka grumbulluar 10 pikë dhe renditet i fundit në tabelë, ndërkohë që ndeshjen e parë të fazës së tretë e luan në transfertën e Gjirokastrës kundër Luftëtarit.
“Deri më 27 janar, që do të luajmë ndeshjen e parë të fazës së tretë me Luftëtarin në Gjirokastër, ka kohë. Për mua është një rastësi e bukur, por si profesionist dua që Kastrioti të fitojë”, përfundon trajneri i Kastriotit, Bledar Devolli.
AGRON KAJA