Ka humbur Hardi Binguila! Prej javësh, lojtari është zhdukur në Kongo dhe nuk bëhet i gjallë. Normalisht ai duhet të ishte kthyer javën e shkuar dhe të niste stërvitjen, por lojtari nuk është bërë i gjallë. Gjasat janë që lojtari të ketë mbyllur marrëdhëniet me Tiranën, por trajneri Ze Maria nuk di gjë. Dhe të thuash se duhej të ishte blerja më e madhe e Tiranës këtë verë. Njerëzit afër presidentit Refik Halili e kishin sugjeruar si yllin e ri të ekipit, por që rezulton vetëm “një askush”. Në fakt, çështja e Hardi Binguilës është shumë e komplikuar, pasi ai nuk duket më te bardheblutë prej gjashtë muajsh. Hardi Binguila është dëmtuar në sfidën që Tirana zhvilloi në Kupë me Besën në fund të shtatorit. Burime pranë klubit atëherë bënin me dije, se lojtari do të bëhej gati për sfidën e 18 tetorit me Vllazninë në Kupë, por që nuk u bë gati asnjëherë dhe sot 21 shkurt.
Por si qëndron e vërteta e dëmtimit të Hardi Binguilës? Lojtari ka ardhur i dëmtuar. Ai ka pasur një çarje të muskulit dhe me këtë dëmtim ka ardhur te Tirana. Është futur në lojë dhe më pas është ridëmtuar. “Po riaftësohet”, thoshin, por koha e bërjes gati për lojë është shumë e gjatë dhe ka kaluar disa herë parashikimet. Thjesht, lojtari nuk bëhet gati për të luajtur disa muaj dhe mund të ketë mbyllur bashkëpunimin me bardheblutë, edhe pse nga klubi nuk ka asnjë vendim zyrtar. lojtari merr një rrogë shumë të madhe dhe bardheblutë këtë futbollist e kanë shpenzim të tepërt. Binguila ka dy vite që nuk luan një kampionat të plotë dhe zor se mund të bëjë gjë këtë kampionat me Tiranën. Ai erdhi shumë vonë te bardheblutë dhe deri më sot ka luajtur vetëm 52 minuta. Me zhdukjen e tij nga skuadra, kongolezi zor se do të jetë më bardheblu.
Trajneri Ze Maria u tregua i qartë dje: “Nuk e di ku është. Po kurohej në vendin e tij dhe duhet të kthehej javën e kaluar. Nuk kam pyetur se ku është, ndaj do interesohem te presidenti për të kuptuar çfarë ka ndodhur. Ku është dhe të di fundin e kësaj historie”.