Biletat në shitje, por Korça në “hall” për… autobusë

Një “hall” ka kapur klubin “Skënderbeu” dhe ka të bëjë me autobusët që do të vihen në dispozicion të tifozerisë. Është e sigurt që presidenti Ardjan Takaj shumë shpejt do të zyrtarizojë lajmin e vendosjes së autobusëve pa limit në dispozicion të tifozerisë, ndërkohë që problemi ka të bëjë me atë se nuk po gjenden autobusë të mjaftueshëm në qytetin juglindor. Kjo ka bërë që të fillojnë kontaktet qysh dje me qytetet përreth Korçës, teksa po porositen autobusë në Pogradec, Bilisht dhe në Ersekë, në mënyrë që të enjten të gjithë të mbërrijnë në Korçë për të transportuar tifozët drejt Elbasanit. Në takimin e fundit të Skënderbeut në Elbasan, ndaj Mladës, kanë qenë rreth 15 autobusë që u nisën nga Korça, dhe bashkë me ta edhe mbi 15 fugonë, por edhe qindra makina të vogla private. Këtë herë parashikohet se duhen të paktën 40 autobusë, ndërkohë që nëse edhe nëpër rrethet e tjera përreth Korçës do të jetë e vështirë, do të kërkohet ndihmë deri në Librazhd, Elbasan apo edhe më tutje.

Dalin në shitje biletat, nuk ka ndryshime në çmime
Ndryshe nga të gjitha herët e tjera, klubi “Skënderbeu” ka nxjerrë në shitje më shpejt se kurrë më parë biletat për ndeshjen e së enjtes së ardhshme. Interesimi është maksimal dhe të gjithë duan të sigurojnë një orë e më parë një vend në “Elbasan Arena”. Në qytetin e Korçës biletat kanë dalë dje përballë kinemasë së qytetit, ndërkohë që gjenden edhe në kryeqytet te “Selman Stërmasi” dhe në Elbasan pranë stadiumit “Elbasan Arena”.
Çmimet e biletave
Tribuna G dhe C – 200 Lekë
Tribuna D dhe F – 400 Lekë
Tribuna E – 500 Lekë
Tribuna A1, A4 dhe B1, B5 – 1000 Lekë
Tribuna A2, A3 dhe B2, B4 – 1500 Lekë
Tribuna B3 – 2000 Lekë
Tribuna VIP – 4000 Lekë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *