Pengu i Dajës: Gabuam në pjesën e dytë

0

Trajneri i Skënderbeut e pranon që pjesa e dytë dhe minutat e fundit duheshin menaxhuar ndryshe, ndërkohë që komenton ngjarjen më Maqedoni: Ishte një turp, të interesohet ambasada jonë!

Leonard Trebicka

Një ndeshje që duhej fituar, ashtu si shkoi. Para saj, të gjithë shpresonim te ndonjë surprizë, por ishim edhe realistë, Dinamo e Zagrebit e kishte mundur pa shumë vuajtje Skënderbeun e para dy viteve, që ishte alamet skuadre. Kishte nga ata që këmbëngulnin se Dinamo është dobësuar, por për sa kohë nuk e ke përballë, mund të thuash gjithçka për çdo rival të mundshëm. Skënderbeu në agreb u soll shkëlqyeshëm, sidomos në pjesën e parë, ku shënoi një gol dhe iu vodh një tjetër nga një asistent mediokër. Pjesa e dytë pati vuajtje, por ishin të pritshme, sepse Dinamo nuk do të pajtohej aq lehtë me humbjen. Gol i pësuar në shtesë, edhe ai mund të anulohej, ndaj keqardhja është e madhe. Shpresojmë që të mos ndikojë në fatet e kualifikimit, ashtu si shpresojmë që vendimet e arbitrit anësor të mos jenë fatale për Skënderbeun, që gjithsesi bëri diçka të madhe, mori rezultat në Zagreb, një tabu për ne dhe jo vetëm për ne, sepse në rajon Dinamo është një superfuqi, që zakonisht objektiv sezonal ka grupet në Champions League dhe rrallë gabon prej shumë vitesh. Trajneri Ilir Daja ishte në fakt më i qeti nga të gjithë pas ndeshjes dhe si skandinav, komentoi ftohtë rezultatin, duke e konsideruar si mjaft të favorshëm dhe duke mos u marrë fare me arbitrimin. Tani, me mendje më të qetë dhe pasi ka parë sërish ndeshjen dhe episodet e diskutueshme që dënuan Skënderbeun, Daja nuk ndryshon shumë nga ai i së enjtes në mbrëmje.

Daja, para ndeshjes e kishit menduar që do të ktheheshit me rezultatin 1-1?
-Nëse do na thoshin që do të përfundonim 1-1, do të ishim shumë të kënaqur, sepse ishte një ndeshje shumë e vështirë. Kemi përballë një ekip që në shtatë edicionet e fundit ka qenë rregullisht në grupet e Champions Ligës apo Europa Ligës dhe kjo tregon cilësinë e kundërshtarit. Me atë që ekipi shprehu, sidomos në pjesën e parë, na erdhi keq për golin e pësuar në fund. Megjithatë, mbetet një rezultat pozitiv edhe ky barazim 1-1 në fushën e vështirë të Dinamos.
-Çfarë mund të bënit më shumë në atë minutë të fundit?
-Unë do të thosha që filloi më parë se minuta e fundit. Ne duhet të bënim atë që të administronim më shumë topin siç bëmë pjesën e parë, duke mos i lënë kundërshtarit aq shumë iniciativë, pasi siç dihet ai që ka administrimin e topit drejton dhe lojën duhet të ishim më efiçentë në ato minuta shtesë, sidomos në mbajtjen e topit në atë goditje nga këndi që fituam në minutën e 93-të. Duhet ta vononim lojën disi më shumë. Megjithatë lodhja dhe presioni i kundërshtarit, por edhe ndihma e arbitrit, sollën golin e barazimit. Kjo është një sinjal që ne e dimë por na shërben më shumë që të kthjellohemi se loja mbaron me rënien e bilbilit.
-Të gjithë e mendonin se Skënderbeu do të ishte lehtësisht i kalueshëm për Dinamon. Po tani?
-Ne duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kemi marrë një rezultat pozitiv, por vetëm kaq. Janë dy tablo loje, një që flet për dominim tonin në pjesën e parë dhe një e dytë që i takon kundërshtarit. Kemi bërë shumë mirë në ndeshjen e parë edhe për rezultatin dhe duhet të futemi në “Elbasan Arena” me mendjen se rezultati nuk është 1-1, por 0-0, me qëllim që të jemi të përqendruar deri në fund fare për të qenë ne ata që do të vazhdojnë më tej.
-A mendoni se përballë ishte një Dinamo në formën e vet më të mirë? A rezultoi ashtu si e prisnit?
-Pas ndeshjes mund të flasim edhe më të qetë, por çdo staf bën punën e vet duke studiuar elementët e mirë dhe jo të mirë. Efiçenca jonë ishte më e mirë që në fillim të takimit. Lojtarët tanë me eksperiencën nuk e ndjenë peshën e presionit të një ekipi të madh si Dinamo. Por në këtë fazë me sistem eliminimi nuk ka rëndësi se çfarë ke bërë një takim, por në të dy takimet. I kemi shanset, kemi bërë gol në fushën e tyre dhe kemi luajtur si të barabartë me ta por që ajo që do vendoset do të vendoset në Elbasan. Do të kemi një plus më shumë, pasi kemi tifozët tanë të zjarrtë në mbështetje, jo vetëm ata korçarë, por nga gjithë Shqipëria, që do të jenë të shumë të në Elbasan Arena. Ky do të jetë një motiv më shumë që të gjithë të japin jo vetëm maksimumin pasi kjo është e qartë tashmë se kjo ndeshje luftohet vetëm maksimalisht. Por mbështetja e tifozëve do të sjellë përqendrim dhe entuziazëm për t’ua rikthyer qoftë në rezultat, ashtu edhe në lojë.
-Sa shanse i jepni tani Skënderbeut për të shkuar më tej?
-Nëse do të bëjmë atë që bëmë në pjesën e parë kemi shanset tona, pasi na favorizon edhe rezultati. Por nëse luajmë si në pjesën e dytë, do t’i hapim shumë punën vetes, pasi Dinamo është një ekip i madh. Mendoj që të jemi si në pjesën e parë dhe fati të jetë në krahun tonë. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë se është një ndeshje e vështirë, përballë një ekipi të madh.
-Ekipi është i lodhur për momentin.
-Pjesa e lodhjes ka disa këndvështrime. Kur prishet bilanci taktik lodhja është më e madhe. Kjo ka të bëjë me humbjen e topit, pasi për çdo pasim të gabuar ekipi që ka fituar thellësi dhe gjerësi në fushë ka bërë 25-30 metra. Fakti që e humb topin e bën çdo lojtar të kthehet shpejt në zonën përkatëse. Pra me një llogari të thjeshtë, i thonë 60 metra për një top të humbur për një lojtar. Nëse në këto raste taktikisht ka humbje administrimi edhe lodhja është më e madhe. Më shumë sesa rënie të kondicionit patëm mungesë në administrim të topit.
-Diçka për incidentin në kthim, në Maqedoni?
-Të them të drejtën, jemi ndjerë shumë keq dje. Unë do ta prek, pasi e përjetuam të gjithë bashkë, por mendoj që futbolli duhet të jetë larg këtyre politikave. Nuk e di se çfarë urdhri kishin marrë dhe kush e kishte marrë atë urdhër që të bëhet shoqërimi i ekipit deri në kufi pa asnjë ndalesë. Gati-gati arritëm deri në atë pikë sa të merrnim iniciativën të ndalonim autobusin, qoftë edhe forcërisht, pasi kishim nevojë qoftë të pinim ujë, qoftë nevoja personale. Nuk e kuptuam se pse ndodhi, por duhet që ambasada jonë të interesohet në lidhje me këtë incident. Nuk ishte aspak i këndshëm një trajtim i tillë për një ekip pjesë e Europa Ligës.
-Do të ndikojë kjo tek ekipi?
-Nuk besoj, për vetë faktin se nuk ka të bëjë me kundërshtarët tanë. Ishte në Maqedoni kjo që ndodhi. Por duhet ta mbyllim këtu dhe të mendojmë për futbollin, që të jetë larg politikës, me qëllim që të jetë më i bukur. Futbolli ka mision të afrojë njerëzit, qoftë fqinjët apo në rajon dhe më tej, që të jenë më afër njëri-tjetrit dhe jo t’i përçajë ata.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.