Alban Bushi dhe Shqipëria U-21 janë kthyer me 3 pikë nga dy transferuat në Irlandën e Veriut dhe Islandë, pikë që mund të ishin më shumë, nëse nuk do të dhuronim një penallti në shtesë ndaj Irlandës së Veriut.
Në konferencë për shtyp në selinë e FSHF-së, Alban Bushi ka bërë bilancin e ndeshjeve të fundit, duke shprehur kënaqësi jo thjesht për pikët e marra: “Isha në merak si do të reagonte ekipi në dy ndeshjet e para jashtë fushe, por reaguam shumë mirë. Nuk duhej te ishim mundur ndeshjen e parë, por tre pikë në dy ndeshje më kënaqin. Në Irlandën e Veriut kishim përballë një rival shumë të fortë, që kërkonte vetëm të mbronte rezultatin 0-0, që nuk ishte keq as për ne, por u ndëshkuam në fund. Në Islandë ishte kreut ndryshe, dominuam gjithë ndeshjen, duke luajtur mjaft mirë e duke shënuar sa herë na barazonte kundërshtari. Ekipi ka forcë dhe lojtarë kandidatë për ekipin e parë A”.
Bushi shpreson që skuadra e tij të rritet në aspektin e eksperiencës, për të mos dhuruar më pikë: “Ne jemi Shqipëria, një kombëtare e vogël, nuk duhet të shikojmë shumë larg, por të mendojmë për ndeshjen e radhës. Ne nuk pretendojmë vendin e parë, por synojmë fitore në çdo ndeshje. Kemi lojtarë më të vegjël se kundërshtarët dhe mendoj se do të jenë më të rritur edhe sezonin e ardhshëm. Duhet t’i mbaj lojtarët të karikuar, në mënyrë që të mos gabojmë siç bëmë në Irlandën e Veriut. Nuk mendojmë për Spanjën, sepse në 10 tetor presim Islandën në Tiranë. Ndaj Islandës dhe Irlandës janë ndeshje vendimtare për të na treguar nëse do të kapim vendin e dytë ose jo. Kërkojmë mbështetjen e publikut për t’ia dalë mbanë”.
Natyrisht, synimi i Bushit është evidentimi i talenteve për kombëtaren e madhe dhe trajneri i Shqipërisë U-21 nuk e fsheh se që tani disa emra janë gati për hapin e madh, ose do të vëzhgohen me kujdes nga Panuçi: “Mund të veçoj Ndojin e Breshias, apo emra si Laçi e Ramadani. Durmishaj, Bare patjetër, Çekiçi gjithashtu, por janë shumë lojtarë që kam besim se mund të luajnë në ekipin e parë, kemi edhe 19-vjeçarë me të ardhme të shkëlqyer, duke nisur nga Maloku e Toli. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Panuçin. Gjithmonë do të na njoftojë një ose dy muaj përpara për lojtarët që do të marrë dhe unë do të kem kohë për t’u përgatitur. Kemi shumë lojtarë të mirë dhe edhe nëse na ikin një apo dy nuk do ta kemi problem, përkundrazi, kur ke 23 lojtarë në dispozicion, e ke shumë të vështirë të lësh 5 në tribunë”.