Bicaj e Shkalla “kërcënojnë” Skënderbeun

Teuta ka një ndeshje të vështirë në transfertë kundër Skënderbeut, por durrsakët besojnë se mund të marrin një rezultat pozitiv. Para këtij takimi ka folur mbrojtësi lezhjan Ditmar Bicaj, i cili e ka një sfidë speciale këtë me korçarët.

“Normalisht çdo sfidë kundër Skënderbeut unë e kam pak si speciale, për vetë faktin që kam kaluar shumë mirë në atë qytet, kam shumë kujtime dhe kam fituar shumë trofe. Kështu që do të jetë një sfidë speciale, sigurisht si gjithmonë ndaj Skënderbeut”, shprehet fillimisht Bicaj në “RTSH Sport”.

Më tej ai thekson se synojnë pikët maksimale: “Vijmë nga një sërë rezultatesh pozitive, nuk jemi ajo Teutë e fazës së parë. Grupi tani është më i lidhur në çdo repart. Them se do jetë një ndeshje e bukur. Teuta, ndaj çdo kundërshtari luan për fitore. Këtë e kemi treguar edhe ndaj Skënderbeut, që i kemi shkaktuar humbjen e parë. Edhe në Korçë objektivi ynë është fitorja”.

SILVESTER SHKALLA – Mbrojtësi po luan titullar ndeshjet e fundit dhe analizon përballjen me Skënderbeun. “Është një ekip shumë i fortë, është pretendent për titullin kampion. Është një ndeshje e rëndësishme për ne, jemi përgatitur 100% dhe shpresojmë të dalim me rezultat pozitiv, siç kemi dalë këto ndeshje. Rëndësia e fitores? Ecim me këmbë në tokë, është shumë e rëndësishme për ne. Me këtë trepikësh të bëjmë një hap të madh në kampionat”, shprehet Shkalla.

Ditët e fundit ka pasur lajme të ndryshme në lidhje me të ardhmen e mbrojtësit, madje që e çojnë atë te Tirana. Gjithsesi ai është i përqendruar momentalisht tek ekipi aktual. “Jam i fokusuar 100% te Teuta, po kaloj një moment të mirë dhe do të ndodhë çfarë të jetë kismet”, përfundon mbrojtësi për RTSH Sport.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *