Shkodranët kanë pasur më shumë mundësi në këtë test, por edhe lezhjanët u janë përgjigjur në mënyrën më të mirë
Bernard Gjikolaj
BESËLIDHJA-VLLAZNIA 1-1
Shënues: Ujka 76’ / Kruja 48’
BESËLIDHJA: Demi, I. Kamara, Dore, Dibra, Ndreca, Met’hasani, Hepaj, Përgjoni, Konte, O.Kamara, Bangura. (U aktivizuan: Frroku, Ujka, Hidri, Malaj). Trajner: A. Pepaj.
VLLAZNIA: Selimaj, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Gurishta, Krymi, Tafili, Hasani, Lika, Vecaj, Atsina. (U aktivizuan: Naumovski, Sherri, Bardulla, Kalaja, Çinari, Marku, Pusi, Miloti, Brahimi). Trajner: A. Cungu.
GJYQTARË: E. Hamiti, P. Simoni, E. Gjoka (Lezhë)
KARTON I VERDHË: Konte 37’
Nuk ka fitues në testin miqësor mes Besëlidhjes dhe Vllaznisë, që pas përballjes 90 minutëshe u ndanë në barazim 1-1. Fillimisht shënuan shkodranët me anë të Arsdi Krujës me fillimin e pjesës së dytë të takimit, ndërsa për lezhjanët barazoi shifrat i riu Ujka. Një ndeshje që u vlejti shumë stafeve teknike të të dyja ekipeve, ndërkohë që si Vllaznia, ashtu edhe Besëlidhja kanë programuar edhe të tjera ndeshje miqësore.
NDESHJA – Trajnerët e të dyja ekipeve hodhën në fushë formacionet më të mira. Kjo miqësore ka nisur shumë e fortë, pasi të dyja skuadrat e kërkuan shumë shpejt golin, por mbrojtjet respektive i sfumuan përpjekjet e sulmuesve dhe mesfushorëve për të shënuar. Shkodranët kërcënuan në minutën e 13-të me Vecajn, gjuajtja e të cilit u grushtua nga Demi, kurse më pas provoi edhe Lika, por pa rezultat. Më pas ishte Besëlidhja që kishte më shumë iniciativë dhe në një rast rrezikoi me anë të O. Kamarasë, i cili gjuajti në ecje e sipër, por topi kaloi ngjitur me shtyllën e Selimajt. Sulmon Vllaznia dhe Lika e Krymi i afrohen golit, por arritur ta dërgojnë topin në rrjetën e Demit. Në fund të pjesës së parë ishin sërish shkodranët të rrezikshëm, kur një aksion i tyre mbyllet nga Gurishta, që gjuan fort dhe sërish topi kalon ngjitur me shtyllën.
Pjesa e dytë nis me epërsinë e Vllaznisë. Pas dy minutave lojë, shkodranët fituan një goditje këndi dhe pas ekzekutimit të saj Kruja gjuajti saktë me kokë dhe topi përfundoi në rrjetë. Vllaznia ishte në avantazh, por më pas lëshon në lojë dhe lezhjanët bëhen më të rrezikshëm. Ata nisin të organizohen më mirë dhe rrezikojnë seriozisht me anë të O. Kamarasë, por pa rezultat. Në minutën e 60-të Vllaznia ka një rast, kur Çinari, i freskët, provon nga jashtë zonës, por topi kalon ngjitur me shtyllën. Besëlidhja kundërpërgjigjet me një gjuajtje nga distanca të O. Kamarasë, por Naumovski grushton. Të njëjtën gjë bën edhe Demi, pas gjuajtjes së Orelesit. Pas minutës së 70-të Besëlidhja krijoi një seri rastesh dhe në njërin prej tyre arrin të barazojë. Topin e kthyer nga traversa, Ujka, i ndodhur aty pranë, e shtyn në rrjetë, duke e barazuar rezultatin në 1-1.
Edhe pse të dyja skuadrat luftojnë fort në minutat e mbetura, më shumë Vllaznia, gjithçka mbyllet në barazim. Duhet thënë se pas ndërrimeve loja është dobësuar. Gjithsesi, të dy stafet teknik e kanë marrë një mesazh nga kjo miqësore se deri ku janë skuadrat e tyre në prag të sezonit të ri. Tashmë ata mund të ndërhyjnë për të rregulluar ato defekte, që kanë konstatuar gjatë kësaj miqësoreje.