Bernard Gjikolaj
Takimi miqësor mes Besëlidhjes dhe Turbinës, “ndizet” në të 20’, kur miqtë e Turbinës sulmojn rrufeshëm. Sallaku është ai që shënon, por gjyqtari vëren një prekje topi me dorë nga mbrojtja lezhjane dhe loja nis nga fundorja. Përsëri, janë miqtë cërrikas që këmbëngulin, por mbrojtësit Dibra e Dore janë në lartësinë e duhur duke i shmangur rreziqet e sulmit cërrikas. Në të 39’ janë përsëri miqtë cërrikas që sulmojnë me anë të Agalliut dhe Sallakut, sapo futen brenda zonës lezhjane pengohen në mënyrë të parregullt dhe gjyqtari drejton dorën nga pika e bardhë, ku në të 40’ ishte Sallaku që e merr përsipër penalltinë duke shënuar dhe 0-1. Pas pësimit të golit vendasit riorganizohen dhe pas dëmtimit të mesfushorit lezhjan Hepaj e zëvendëson shkodrani Dyca që debutoj për herë të parë me fanellën e Besëlidhjes dhe në të 38’ ja doli që të barazojë.
PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë ishte edhe më i fortë, ndonëse të dyja skuadrat bënë ndërrime të shumta. Në të 50’, janë miqtë që sulmojnë me shpejtësi, por nuk ja dalin të dyfishojnë. Pas disa sulmesh të dyja skuadrat e ulën disi ritmin, por shumë shpejt lezhjanët sulmojnë dhe në të 54’ ishte Ndreca që nga e majta godet shtyllën cërrikase. Në të 60’, janë përsëri lezhjanët që sulmojnë dhe i sapo futuri Miloti nuk heziton por gjuan në kuadrat duke e mposhtur portierin mik dhe 2-1. Në të 74’ është Qori për miqtë që provon nga 30-m largësi nga e djathta e sulmit dhe topi qeth traun e e portës lezhjane. Në të 80’ Turbina ja del të shënojë me një sulm majtas, por më parë ishte ngritur flamuri i anësorit. Në të 85’ Turbina sulmoj dhe sulmin e kurorëzoj me sukses Agalliu duke barazuar dhe me këtë gol u mbyll i gjithë takimi me shifra të barabarta 2-2.
BESËLIDHJA – TURBINA 2-2
Shënues: Dyca 38’, Miloti 60’/ Sallaku 40’ (11-m), Agalliu 85’
BESËLIDHJA: Bajri, Ndreca, Dibra, Dore, Voci, I. Kamara, Met’hasani, Hepaj, O. Kamara, Bangoura, Frroku. (U aktivizuan edhe Dyca, Miloti, Malaj, Konte, Përgjoni, Gomez, Lleshi, Lleshaj)
Trajner: A. Pepaj
TURBINA: Malaj, Baçi, Sallaku, Agalliu, Taullau, Peqini, Bakiu, Mehmeti, Roshi, Gërxho, Xheni. (U aktivizuan edhe Dollani, Gazheli, Daci, Shkreta, Qori, Doka, Demollari, Doda).
Trajner: S. Bardhi
GJYQTARË: E. Gjoka, D. Përndreca, Xh. Bacaj (Lezhë)
Pas ndeshjes…
- Pepaj, trajneri i Besëlidhjes: “Me lojën e skuadrës jam i kënaqur deri diku, pavarësisht barazimit, pasi e kam theksuar edhe herë të tjera për mua në miqësore më vlen performanca e skuadrës dhe e futbollistëve në veçanti se rezultati. Jam I kënaqur pasi pjesa e dytë ishte më e mirë se e para dhe kjo tregon se skuadra është në rritje. Tani e kemi mbyllur fazën përgatitore dhe jemi të gatshëm që të nisim sezonin futbollistik me objektiva të qarta”.
- Bardhi, trajneri i Turbinës: “Jam i kënaqur me lojën e skuadrës dhe me performancën e saj në mënyrën se si e menaxhuan situatën. Besoj se kam një grup futbollistësh që jo vetëm se do të mbijetojmë, por ne synojmë pesëshen e parë, pasi ky është objektivi ynë final. Tashmë është mbyllur faza përgatitore dhe ditët e mbetura do ti shfrytëzojmë për të meremetuar ato mangësi që u vërejtën në këtë miqësore”.