Pjesëmarrja në Kupën “Paskuçi” dhe paraqitja e mirë që kreu Besa duke zënë vendin e dytë pas Teutës, vërtetë ka ndryshuar atmosferën e punës dhe përgatitje në vigjilje të kampionatit të ri në kampin verdhezi të Besës. Dje, për ta inkurajuar edhe më paraqitjen e skuadrës ka qenë prezent në seancën stërvitore presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili. Sipas tij, Besa do të rikunfigurohet në kohë rekord në ditët e mbetura duke e plotësuar organikën e saj me disa lojtarë që kanë përvojë të konsiderueshme dhe mund të ndihmojnë shumë ekipin kavajas me shumë traditë që të përmbushë objektivin e vet.
MESFUSHORI DUKA – Dje, te Besa është rikthyer mesfushori kavajas me shumë përvojë Mirel Duka. Pas rikthimeve të Meglid Mihanit dhe Erand Hoxhës, ardhja te Besa e Dukës plotëson skuadrën me më shumë kualitet. Që nga sezoni 2008-09’ kur pati debutuar për herë të parë me Besën në Kategorinë Superiore, 26-vjeçari Mirel Duka ka pasur në karrierën e tij edhe “stacione” të tjera. Fillimisht te Luzi 2008, pastaj te Shkumbini, Luftëtari në dy sezone dhe e mbylli kampionatin e fundit te Erzeni. Duka dallohet për qëndrueshmërinë e karakterin e lartë, teknikën racionale dhe gjuajtjet potente, sidomos nga ato standarde e në pozicione të ndryshme. Ka zhvilluar në karrierën e tij 167 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola. Performanca e Dukës në mesfushë pritet të rikonfigurojë dhe japë një ritëm tjetër lojës së Besës në këtë repart. Ky në qendër dyshja Mihhani – Duka vërtetë janë një dyshe me “lider” që do t’i kishte zili çdo ekip.
TRAINERI POÇI – Për shkak të një impenjimi familjar që e detyroi të kryente një shërbim i ngutshëm në Greqi, Artion Poçi nuk e drejtoi Besën në kupën “Paskuçi” në Durrës. Madje, kur ndeshjet përfunduan, ai sapo kishte hyrë në tokën shqiptare dhe ka marrë nga ndihmësit e tij gjithë informacionin mbi paraqitjen e mirë dhe interesante që Besa kreu në këtë triangolare. Poçi, dje pak momente para stërvitjes është shprehur posaçërisht për “Sport Ekspres”, se po koordinon punën në lidhje ne plotësimin e Besës gjatë ditëve të fundit me futbollistë cilësorë e me përvojë. Tashmë, trajneri që e njeh mjaft mirë terrenin e punës, ka besim se gjërat po ecin në drejtimin e duhur. Duke shfrytëzuar dhe praninë e presidentit Bizhdili dje në stërvitje, Poçi ka thënë se të mërkurën do të publikojë listë – organikën e Besës së sezonit të ri 2017-18. Do të jenë 25 futbollistë qartësoi kryepankina verdhezi. Dje, veçmas ardhjes së Mirel Dukës është larguar me vullnet të lirë sulmuesi durrsak Elidion Mara që ka qenë pjesë e Besës dhe në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar.