Rrëfehet trajneri i ri Dritan Smajli, nga ndarja me futbollin, te parashikimi për Superkupën

0

Lezhjani analizon përballjen e nesërme të dy skuadrave, me të cilat ka luajtur dhe nuk mungojnë batutat: “Kukësi ka dy qerosë të fortë, Tirana ka bishën Karabeci”

Jurgen Zela

Kukësi dhe Tirana diskutojnë nesër trofeun e parë sezonal, Superkupën e Shqipërisë. Kukësi kampion sfidon Tiranën fituese të Kupës, por tashmë një kategori më poshtë. Megjithatë, kjo nuk pritet të ndryshojë asgjë, pasi bardheblutë kanë investuar mjaftueshëm dhe bëhet fjalë për një finale të fortë. I këtij mendimi është dhe ish-mbrojtësi i dy ekipeve, Dritan Smajli.

32-vjeçari, i cili tashmë ka varur “këpucët në gozhdë”, ka folur rreth ndeshjes së nesërme, duke analizuar skuadrat, por komenton edhe vendimin e tërheqjes nga futbolli. Sigurisht, nuk do të mungonin batutat për personazhe të dy skuadrave.

– Dritan, pas një karriere të gjatë si futbollist, cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

– Më vjen mirë që vlerësoni kontributin tim në futbollin shqiptar. Një fillim e ka një fund dhe tashmë kam nisur punë si trajner, bashkë me Alban Brukën tek Akademia Porto, që merr pjesë në Kategorinë Superiore me ekipin U-19.

– Vllaznia, Kukësi, Tirana e Besëlidhja, kudo titullar, si është tani ta shohësh futbollin nga jashtë?  

– Normalisht, është e vështirë të ndahesh nga futbolli i luajtur, por e pashë të arsyeshme të tërhiqem, sepse të luash në nivel të lartë duhet ritëm i lartë dhe ndoshta kjo nga fundi më mungoi. Nuk jam penduar aspak, pasi në Shqipëri kam luajtur me më të mirët dhe ndjehem krenar. Dua të falënderoj gjitha drejtuesit e ekipeve, ku kam luajtur, dhe tifozët e tyre.

– Vetëm 32 vjeç, çfarë ju shtyu të tërhiqeni kaq shpejt?

– U riktheva te Besëlidhja për t’u ngjitur në Superiore, por mosarritja e objektivit më mërziti shumë, pa harruar amatorizmin në këtë klub. Më vjen shumë keq, pasi lezhjanët nuk e meritojnë këtë zvarritje 10-vjeçare. Të vetmen kënaqësi që u dhamë atyre ishte arritja në gjysmëfinale të Kupës, falë punës së shkëlqyer të trajnerit Bruka.

– Luhet Superkupa e Shqipërisë me Kukësit dhe Tiranës, që ju i njihni mirë, pasi keni luajtur për to. Si e shihni këtë ndeshje? – Po e filloj nga Tirana. Në çdo kategori të jetë, Tirana mbetet e madhe. Ajo është mbretëresha e futbollit, duke ditur trofetë që ka. Kukësi ka bërë historinë, pasi ka vetëm 6 sezone në Superligë dhe ka fituar gjithë trofetë. Presidenti Gjici duhet falënderuar pa fund, pasi është pikë shumë e fortë e arritjeve historike. Një përballje e gjitha për t’u ndjekur dhe do ta shijoj me kënaqësi. Mos më kërkoni për kë bëj tifo, thjesht do ta ndjek me kënaqësi.

– Të dyja skuadrat vijnë me ndryshime në organikë, mund të veçonit pikat e forta të tyre?

– Kukësi është përpara në organikë, duke pasur parasysh që mbrojtja dhe porta nuk kanë ndryshuar dhe janë pikat më të forta. Mesfusha dhe sulmi janë fuqizuar. Te Tirana mendoj se është mesfusha pikë më e fortë, me në krye kapitenin Erando Karabeci.

– Janë larguar Pejiç dhe Emini nga Kukësi, si dhe Merveil nga Tirana. Sa do të ndikojë ky fakt?

– Kukësi ka humbur dy golashënuesit më të mirë, por, me sa kam parë, ka bërë goditje të mira në vijën e parë. Po kështu, edhe Tirana ka pasur firot e saj, por finalja është gjithmonë e vështirë dhe do të luhet me kujdes. Shpresoj të kemi gola, por e vështirë duket.

– Trofeu i parë sezonal, sa vlerë mund të ketë për fituesin?

– Duke qenë që Tirana luan në Kategorinë e Parë dhe Kukësi vjen si kampion i Shqipërisë, mendoj se më shumë i shërben Kukësit, pasi do të jetë një shtysë e madhe për të mbrojtur titullin.

– Kush mund ta zgjidhje këtë takim?

– Mendoj se sulmi i Kukësit do bëjë diferencën.

– Nga Tirana dhe Kukësi, cilët janë miqtë tuaj, keni ndonjë batutë për ta?

– Te Kukësi ka dy qerosë të fortë, Shameti brenda fushe dhe presidenti Gjici jashtë fushe. E vështirë t’i mundësh. Ndërsa te Tirana nuk mjafton bisha Karabeci.

– Te cila skuadër jeni ndjerë më mirë?

– E vështirë të bëj diferencime, por te Kukësi jam ndjerë më mirë. Mund të them se te Vllaznia jam ndjerë shumë herë më mirë dhe mbetet skuadra ime e zemrës. Kam kaluar 5 sezone të shkëlqyera në Shkodër.

– E mendoni se një mund të ktheheni te këto skuadra në rolin e trajnerit?

– Të shohim, është rrugë e gjatë, por kurrë mos thuaj kurrë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.