Besa fiton, “shpërthen” Poçi: Disa lojtarë s’e meritojnë fanelën!

Kavajasit fitojnë testin me patosarakët, por trajnerin s’e bindin pjesa më e madhe e lojtarëve: Nuk janë për ekip me traditë…

BESA – ALBPETROL  2-1

Shënues: Ed. Hoxha 15’, Al. Dërvishi 45’ / Balla 65’

BESA: Rexhepaj, Perja, Gjonaj, Kullolli, Bushi, Shabani, Cangu, Ed. Hoxha, Cara, Kaloshi, Biba. (U aktivizuan: Puja, Brahimaj, Dërvishi, Ngjela, Mara, Xh. Hoxha, Selita, Hyka, Boraku, Deliu, Elezi, Dema). Trajner: A. Poçi.

ALBPETROL: Baba, Fasko, Naço, Kapo, A. Prifti, Hatija, Hidersha, Gërxho, Sako, R. Prifti, Caushi. (U aktivizuan: Balla, Xoxe, Muhametaj, Papingu etj). Trajner: M. Miho

GJYQTARË: K. Shahini, F. Lata, M. Koçi (Durrës)

Fatmir Efica

Duhej një fitore në miqësore. Dhe në ndeshjen e tretë radhazi në shtëpi, Besa fiton 2-1 ndaj një skuadre të Kategorisë së Dytë, si Albpetroli që dje në Kavajë bëri një prezantim të pëlqyeshëm duke na kujtuar kohën kur këtë skuadër e drejtonte i mirënjohuri Fatmir Dogani. Besa e nisi mirë lojën duke shënuar shpejt me anë të Edmond Hoxhës me kokë pasi një topi ardhur nga këndi. U mendua se ky takim do të kishte “festival” golash për kavajasit kur vetëm pak sekonda para pushimit të pjesës së parë Aldo Dërvishi shënoi një gol të bukur falë një cikli driblimesh brenda zonës e gjuajtjes së sakte diagonal me portën.

PJESA E DYTË – Në pjesën e dytë, edhe për shkak të ndërrimeve të shumta “pa doganë” epërsia e rasteve foli për Besën që duhet të shënonte në disa raste shumë flagrante, por lojtarët e rinj sa për nxitim aq dhe prej emocioneve vetëm shpërdoruan mundësitë e mira që patën. Eurogoli i patosarakut Balla nga distanca pozicion ballor duke e dërguar topin në trekëndëshin e sipërm të e vuri më shumë në lëvizje ekipin mik. Por, edhe pse me disa përforcime si: Julian Gërxho, Andi e Romario Prifti, etj.,duan edhe kontributin e grupit. Nisur nga deklarata e trajnerit Poçi që nuk u kënaq me paraqitjen e shumicës dërmuese të lojtarëve që kanë qenë e janë në provë te Besa dhe se disa prej tyre do të largohen shpejt, e kupton se Besa momentalisht ka nevojë për lojtarë të tipit Mihani dhe Erand Hoxha qe dje nuk u aktivizuan, e madje nuk ishin as edhe në pankinë. Sidoqoftë, ditët deri para startit të kampionatit pritet të shfrytëzohen pozitivisht nga drejtuesit e Besës për të sjellë një “fytyrë” tjetër në lidhje me organikën e lojtarëve, veçanërisht atyre që do të mbajnë peshën e titullarit në formacion.

Katër prurje të reja

Nga 4 lojtarët e rinj që luajtën dje, Veton Shabani kreu një paraqitje interesante. Ndërsa për Veton Demën nga Gjilani i Kosovës, Ronaldo Elezin nga një skuadër e Serisë D në Itali dhe Xhino Ngjela nga U-19 Partizani, stafi do vendosë ndoshta në miqësoret e pas disa ditëve.

Pas ndeshjes…    

Artion Poçi, trajneri i Besës: Pas ndeshjes deklaroi se disa futbollistë që kanë qenë e janë në provë dhe nuk e meritojnë ta veshin fanellën e rëndë të Besës. “Do të ketë shpejt sërish largime. Ne fituam një miqësore sa për moral, por sigurisht nuk jam i kënaqur me këtë nivel të pjesës dërmuese të lojtarëve”.

Mariol Miho, trajneri i Albpterolit: “Mund të them se jemi një skuadër që e ka nisur gjithçka nga zero. Kemi bërë disa përmirësime në përbërje me futbollistë me emër si: Gërxho, A. Prifti, R. Prifti etj. Por na duhet të kolaudohemi sa më shpejt pasi kampionati nuk është larg, Kjo skuadër ka mundësi për më tepër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *