Ndodh edhe kështu. Dje pasdite, Besa duhej të luante një miqësore në Shkodër përballë Vllaznisë “B” por kjo mundësi nuk është shfrytëzuar nga asnjëra prej skuadrave, duke u vendosur anulimi i ndeshjes. Besa e cila ka dy ndeshje shtëpiake javën e ardhshme, ndaj Tiranës për turin e parë të Kupës së Shqipërisë dhe ndaj Dinamos në startin e kampionatit, dëshironte që kjo miqësore e fundit të luhet në Kavajë. Është gjetur me “shpejtësinë e erës” edhe skuadra që Besa do të ketë sot përballë në stadiumin e saj. Pikërisht fqinjët e Shkumbinit të Peqinit që dihet se nuk janë me një grup me Besën në këtë sezon të ri të Kategorisë së Parë dhe kjo është një gjë e mirë për të mos “vjedhur” taktikat e njëra – tjetrës.
MERKATO – Besa zhvilloi një seancë normale stërvitje pas mos shkuarjes në Shkodër. Fakti që ditët e merkatos verore janë në limitin e tyre, ka dhënë një tjetër mundësi për të parë edhe një herë alternimet e fundit për ndonjë futbollist që do largohet, afrohet apo huazohet. Vetë trajneri i Besës Artion Poçi, ka deklaruar dje largimin nga Besa të qendërsulmuesit tetovar Hasan Brahimaj. Ky i fundit edhe pse shënoi golin e barazimit 1-1 në miqësoren e së mërkurës që Besa barazoi në shtëpi me Bylisin, nuk ka mundur të bindë drejtuesit e Besës në një test që për të ka qenë vetëm 45-minutësh në fushë. Menaxherët e tij kanë kërkuar që lojtari të nënshkruante për Besën, por trajneri Poçi ka refuzuar kategorikisht këtë kërkesë. Madje ka thënë se, lojtarë që vijnë me kushte të “parafabrikuara” nuk do të kenë vend te Besa cilado qofshin rrethanat.
RROKADA – Është konfirmuar rikthimi në skuadër i shtatlartit 20-vjeçar Dajan Shehi, që do të rikthehet përsëri te skuadra verdhezi. Ky lojtar do të këmbehet “kokë për kokë” me qendërmbrojtësin tjetër, 19-vjeçarin kavajas Denis Brahimaj që do të kalojë tani tek Teuta. Me rikthimin dy javë më parë të Erand Hoxhës, një qendërmbrojtës shumë potencial për nga përvoja dhe riardhjen tashmë dhe të Dajan Shehit, prapavija e Besës duke llogaritur se djathtas luan Skderdian Perja me shumë përvojë dhe majtas Denis Biba me mjaft energji, bëhet një repart i “blinduar”.