Berisha tregon si e priti penalltinë e Dibalës, por: Më i lumtur për pikën

Etrit Berisha u bë protagonist mbrëmë, me penalltinë që i priti Paulo Dibalas, duke evituar humbjen e Atalantës. Pas ndeshjes portieri i kombëtares sonë foli për mediat italiane, duke rrëfyer si ndali një ndër lojtarët më të saktë në Itali nga pika e bardhë.

Vendosa në moment ç’do të bëja. Edhe pse e kam parë si gjuan, ishte e vështirë. Prita deri në momentin e fundit dhe e kuptova ku do ta çonte topin. Jemi të kënaqur, e kemi merituar këtë barazim, sepse rikuperuam dy gola ndaj skuadrës më të fortë në Itali, një gëzim i veçantë”.

Berisha gaboi te goli i parë, sepse nuk arriti të bllokonte një gjuajtje nga distanca: “E pashë topin në sekondën e fundit, ishte shumë e vështirë sepse nuk dija a ta bllokoja, a ta grushtoja. Rrezikova dhe tentova ta ndal, por më rrëshqiti nga duart”.

Sërish VAR protagonist, me vonesa të mëdha loje: “E vërtetë, duhet goxha kohë, sidomos kur shënon e duhet të presësh, por sipas meje me kalimin e kohës do të mësohemi, duke shpresuar që gjërat të ecin më shpejt”.

Ndjesia e pritjes së penalltisë ndaj një lojtari që nuk gabon kurrë: “Ndjesi e bukur, por jam i lumtur mbi të gjitha për faktin se morëm një pikë të rëndësishme për ne. Rikuperuam dy gola, të humbisnim do të ishte zhgënjyese, ndaj jam i lumtur që ndala penalltinë e një lojtari si Dibala”.

Atalanta edhe këtë sezon po luan me intensitet të jashtëzakonshëm: “Kemi një grup që punon shumë së bashku dhe pastaj kemi një trajner që na çmon shumë. Është ekspert në përgatitjen e ndeshjeve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *