U mor vesh që mbrëmë: Valon Berisha do të çojë në tre numrin e shqiptarëve te Lacio. Thomas Strakosha ishte i vetmi sezonin e shkuar, ndërkohë që këtë verë u ble nga Real Betis edhe mbrojtësi i majtë Riza Durmishi.
Zgjimi ditën e sotme për mesfushorin e Salzburg ka qenë i shpejtë. Duhet të kryente vizitat mjekësore dhe që në orën 7:50 u shfaq në klinikën “Paideia”. Më pas do të vijë edhe firma në kontratë. Mesfushori ishte pjesë e Salzburg në Austri dhe tanimë është gati për një aventurë të re.
Sa i takon marrëveshjes me Lacion, në mediat italiane është bërë me dije se do të nënshkruhet për 5 vite dhe mesfushori i Kosovës do të përfitojë 1.3 milionë euro në sezon. Një betejë e fituar nga Igli Tare për Berishën, pasi edhe Sampdoria bëri një ofertë konkrete dhe ishte shumë pranë tij. Gjithsesi vlonjati kishte nisur nga puna prej kohësh dhe për 7.5 milionë euro i ka ofruar Lacios një mesfushor mjaft cilësor.