Rafa Benitez është në stolin e Njukasëllit që nga marsi i vitit 2016. Spanjolli është një trajner me eksperiencë dhe ka fituar shumë në karrierën e tij. Liverpulit i riktheu Champions Ligën pas shumë vitesh në finalen e paharrueshme kundër Milanit në vitin 2005, ndërsa fitoi dhe 3 trofe të tjerë më “The Reds”.
Më parë kishte fituar dy tituj rresht dhe Kupën UEFA me Valencian. Më pas Interi, një eksperiencë jo shumë pozitive, por Rafa ia doli të fitonte Superkupën e Italisë përballë Romës dhe Botërorin për klube kundër kongolezëve të Mazembes.
Aventura te Reali nuk zgjati shumë, te Çelsi fitoi Europa Ligën, ndërsa Napolit i dhuroi Kupën e Italisë dhe Superkupën në vitin 2014. Benitez ka dhënë një prononcim për “AS”, aty ku ndalet te aventura me Interin dhe Realin e Madridit.
INTERI – “Nuk është se nuk funksionoi metoda ime e punës tek Interi. Unë ia dola të fitoj dy trofe pa blerjet që më ishin premtuar. Drejtuesit blenë vetëm Kutinjon, i cili ishte një fëmijë. Sa i përket Realit të Madridit, unë isha dy pikë poshtë Barcelonës dhe kishim kaluar turin në Champions. Ndonjëherë, thjeshtë nuk të lejojnë të fitosh. Në dhomat e zhveshjes duhet të menaxhosh egot e lojtarëve. Nuk është e thjeshtë të aplikosh një metodë pune, sepse ka lojtarë me personalitete të ndryshme. Nëse ia kam dalë të fitoj në Spanjë, Angli dhe Itali, do të thotë që stili im i punës funksionon.”
BENITEZ – “Unë jam një trajner i përpiktë dhe mendoj se ky është një tipar pozitiv që të dërgon drejt fitimit të trofeve. Ka trajnerë me fat, të cilët fitojnë prej faktit që lojtarët e ekipit zgjidhin gjithçka. Unë jam ndryshe, kujdesem për detajet dhe tentoj të marr maksimumin nga kontingjenti i lojtarëve. VAR? Në futbollin e sotëm është i rëndësishëm. Duhet të mësojmë ta menaxhojmë, por është shumë i domosdoshëm.”