Xhanfranko Zola vazhdon punë e tij si ndihmës i Mauricio Sarrit në stolin e Çelsit. Ish-trajneri i Napolit bëri një zgjidhje inteligjente, duke i besuar një emri që adhurohet në “Stamford Bridge”. Zola është një idhull i tifozëve të Çelsit, ka kaluar shtatë sezone me këtë ekip dhe është shpallur lojtari më i mirë i huaj i historisë së “Bluve të Londrës”.
52-vjeçari zbulon momentin kur Sarri e telefonoi për t’i ofruar bashkëpunimin e tij. Zola nuk e priste një gjë të tillë, madje kujtoi se dikush po tallej me të. Pasi u bind që në anën tjetër të telefonit ishte Sarri, Zola nuk vonoi shumë për të kthyer përgjigje pozitive.
“Nuk njiheshim më parë, kishim folur disa herë në telefon, folëm dhe kur e intervistova për në një televizor në Itali, por nuk kemi folur më parë për futboll. Ishte një surprizë për mua të përfundoja, duke punuar me Sarrin. Kur më mori në telefon, isha në shtëpi dhe mendova se dikush po tallej me mua. Për pak po e mbyllja telefonin, isha i befasuar, nuk e prisja një gjë të tillë. Sarri më shpjegoi nëse ekzistonte kjo mundësi, më pyeti nëse isha i interesuar dhe iu përgjigja: ‘jam gati, erdha’.”
“Me të vërtetë, një surprizë e madhe për mua”. Niveli i detajeve që studion dhe mënyra e tij e punës janë absurde. Nuk i lë asgjë rastësisë, mendon gjithmonë për gjithçka dhe e lexon mirë ndeshjen. Lojtarët e tij e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë në fushën e blertë”, përfundon Xhanfranko Zola për “Soccer AM”.