Baste të fituar, dështime, mistere dhe mosbesim, Superliga “e huaj”

 

Sezonin e shkuar, lojtarët e huaj që u afruan në klubet e kategorisë elitare lanë shumë pak gjurmë, teksa më shumë u fol për të metat e tyre se sa aftësitë. E megjithatë, gabuan drejtuesit e trajnerët

Anton Cicani

Dikur nuk kishim nevojë për të ashtuquajturit “të huaj”, ndërsa sot është kthyer në një mani ose ndoshta edhe në një “ves”… Albert Xhani, në kohën kur drejtonte Partizanin, vendosi se ndoshta duke importuar lojtarë përtej kufijve, mund të sillnin atë magjinë, spektaklin dhe ndoshta zotësinë për të rritur cilësinë e skuadrës dhe kampionatit. “Partizani do Brazil”, nisi të quhej, ndërsa edhe një nën ritmet e një kënge kushtuar të kuqve, përmendej fjalia “erdhën nga Brazili…”. Në mënyrë krejt spontane, Xhani kishte hapur kështu rrugën për t’i dhënë futbollit shqiptar një tjetër horizont, edhe pse në kohën e firmave piramidale, në Lushnje kishte mbërritur gjithashtu një treshe e famshme, ashtu sikurse edhe Dinamo po provonte të sillte në Shqipëri futbollistë të karikaturës ndërkombëtare. E megjithatë, ishte koha kur talentet shqiptare ishin të shumtë dhe futbollistët cilësorë gjithashtu. Ishte brezi i lojtarëve që luanin për fanellën dhe që nuk tërhiqeshin nga paratë, duke i nuhatur ato si peshkaqenët gjurmët e gjakut…

Kanë kaluar thuajse 20 vjet nga ato kohë dhe e kemi kuptuar mjaft mirë se afrimi i të huajve ka arritur në proporcione të larta. Edhe një ekip që lufton për mbijetesën mund t’ia lejojë vetes që të marrë një apo dy të huaj. Edhe pse, thuajse 80% e atyre që kanë mbërritur këto vitet e fundit janë lojtarë nën normalen dhe, në shumicën e rasteve, edhe më të dobët se ata në organikën e skuadrës. Efekti “i huaj” është thjesht një ndikim i drejtpërdrejt në rritjen e konkurrencës dhe shtyn shqiptarët që të japin më të mirën për të ruajtur vendin e tyre në formacion. Shpesh hasim lojtarë që vijnë pas disa videosh nga Youtube, raportime “fantazmë”, apo edhe CV Ëikipedie, por që nuk janë analizuar me kujdes se çfarë ka dhënë në skuadrat ku ka luajtur. Informacionet janë të cunguara dhe kështu që bëjmë autogola të mëdha. Ishte rasti i sezonit të shkuar, ku me gishtat e dorës mund të numërohen futbollistët që kanë bërë diferencën.

Fenomeni “Eku” –  Kaleb Ekuban padiskutim është një nga bastet më të bukura të fituar nga një klub shqiptar, sezonin e shkuar. Ishte rasti i Partizanit, që do të afronte nga skuadra e Lumecanes, që e kishte huazuar nga Kievo, italo-ganezin. Në fund të sezonit, plot 17 gola dhe 5 asiste nga këmbët e sulmuesit, që praktikisht merrte ekipin përpara dhe vuloste fitoren kur vinte puna. Ndalesa e tij përkthehej me ndalesë të Partizanit. E megjithatë, starti i tij s’ishte ndër më të mirët, pasi hasi vështirësi, teksa kritikohej për pasaktësinë përpara portës kundërshtare. Një difekt që nisi të përmirësojë. U largua pas fundit të huazimit, por në Tiranë vazhdojnë ta “qajnë”.

Ogunxhimi – Duhet të ishte goditja e madhe e janarit, por rezultoi vetëm një dështim. Një rrogë që peshoi në arkat e klubit të Skënderbeut,  një futbollist që mbërriti si ato makinat që kanë motorr të vjetër dhe që mbahen ende, por duan një “remont”. Nga dëmtimet e vazhdueshme, belgu u prezantua në kushtet më të këqija të mundshme dhe vetë te Skënderbeu e kuptuan se kishin marrë një lojtar që vetëm diferencën s’mund të bënte. U përcoll pa zhurmë, pas një sezoni ku luajti 6 ndeshje dhe 165 minuta në total.

Bonifejs – Ashtu si Ogunxhimi te Skënderbeu, edhe Bonifejs do të mbërrinte te Partizani gjatë merkatos së janarit, por trajneri Sulejman Starova do ta ngelte në klasë që në stërvitjet e para. Sumë i ngadaltë me topin, mungesë cilësie dhe teknike. Thjesht, lojtar krejt normal. Në fund, do të koleksionojë vetëm 122 minuta… Nigeriani ishte një dështim me “D” të madhe.

Thjesht durim – Duke qëndruar te Partizani, të kuqtë ndoshta gabuan me një lojtar që, me kalimin e kohës, tregoi veten… Po flasim për sllovenin Dalibor Volash. Shumë pak kohë për të dhe menjëherë largim. Europa dhe kaq… Volash do të firmoste me Celjen në Slloveni dhe në 28 ndeshje do të realizonte 15 gola. Durimi i të kuqëve u sos shumë herët, pa i dhënë hapësirën e ambientimit një lojtari me cilësi.

Rekordi i Laçit – Skuadra kurbinase, sezonin e shkuar, do të aktivizonte plot 11 të huaj, duke e mbushur organikën. Por, në fushë do të dallohej vetëm Mensah, që në fakt firmosi me Atromitos vetëm pak kohë më parë. Të tjerët, thuajse në anonimitet…

Në Vlorë… – Jemi mësuar të shohim një Flamurtar me vlonjate, por këto vitet e fundit në qytetin e bukur jugor të Shqipërisë të huajt kanë qenë më tonelata. Por, mes tyre, më të dalluarit ishin Bushiç dhe Jakovljeviç, që rezultuan afrime cilësore.

Misteri – Një futbollist i huaj në sezonin e shkuar u bë “objekt misterioz”. Landri Mulemo i Vllaznisë. Klubi e mori, trajneri Cungu nuk e donte, ndërsa ai nuk luajti aspak. E të mendosh që CV që kishte ishte shumë e rëndësishme.

Mervej – Padiskutim që goditja e verës së shkuar, sa i përket vlerës së kartonit që është rritur së shumti, ka të bëjë e Tiranën dhe Mervej. Aktualisht, bardheblutë, edhe pse të rënë në kategorinë e parë, duan minimalisht 400 mijë euro për kartonin e futbollistit. Mervej ishte një gjenialitet, i përkthyer financiarisht. Vlera e kartonit të tij mund të shpëtojë dhe mbajë Tiranën në nivelet e duhura.

 

KUKËSI

Kufre Ebong (0 minuta)

Rangel (18 ndeshje nga stoli, 265 minuta)

Elton Kalé (ardhur në janar, 15 ndeshje, 750 minuta)

Filipe Guimaraesh (luajti vetëm pak minuta në Europa League ndaj Rudarit, në qershor 2016)

Marko Shqepanoviç (në stol 2 ndeshjet kundër Austrisë së Vienës, pa luajtur fare)

 

TIRANA

Reuben Akua (24 ndeshje, 1510 minuta)

Ifeanji Ede (21 ndeshje, 6 gola, 1524 minuta)

Moise (32 ndeshje, 2267 minuta)

Mervejl (29 ndeshje, 5 gola, 2438 minuta)

Romuald Ntsitsigui (6 ndeshje, 206 minuta)

Moktar Sisé (23 ndeshje, 2 gola, 1402 minuta)

 

LAÇI

Artur (erdhi verën e shkuar, shkoi te Tërbuni, iku në Brazil në tetor)

Bruno Anjelo (6 ndeshje, 278 minuta)

Bruno Akuino (15 ndeshje, 3 gola, 1327 minuta)

Blazho Rajoviç (1 ndeshje, 77 minuta)

Serxhinjo (7 ndeshje, 480 minuta)

Taubaté (7 ndeshje, 480 minuta)

Tomas Niameke  (1 ndeshje, 46 minuta)

Perikles (10 ndeshje, 876 minuta)

Abraham (22 ndeshje, 939 minuta)

Emanuel Mensah (17 ndeshje, 4 gola, 1511 minuta)

Maikon (0 minuta, erdhi dhe u largua shumë shpejt verën e shkuar)

 

LUFTËTARI

Dani (15 ndeshje, 1009 minuta)

Rexhinaldo (32 ndeshje, 8 gola, 2635 minuta)

Pedro Bengui (8 ndeshje, 288 minuta)

Edi-Nikolas Bojom (30 ndeshje, 2700 minuta)

Usama Mutumane (11 ndeshje, 661 minuta)

Andrés Montero (9 ndeshje, 371 minuta)

Baptiste Faje (10 ndeshje, 184 minuta)

 

SKËNDERBEU

Masato Fukui (14 ndeshje, 768 minuta)

Marvin Ogunxhimi (6 ndeshje, 165 minuta)

Serxhinjo (13 ndeshje, 697 minuta)

Reza Karimi (6 ndeshje, 66 minuta)

Kornel Predesku (7 ndeshje, 296 minuta)

Eko Barine (0 minuta)

Rasak Adeshina (0 minuta)

 

FLAMURTARI

Masaki Iinuma (1 ndeshje, 23 minuta)

Milosh Rniç (18 ndeshje, 1350 minuta)

Slavko Lukiç (5 ndeshje, 425 minuta)

Ivan Galic (27 ndeshje, 1456 minuta)

Nikola Xhuriç (1 ndeshje, 4 minuta)

Maurício (11 ndeshje, 900 minuta)

Ivan Jakovljeviç  (16 ndeshje, 1400 minuta)

Balsha Radoviç (13 ndeshje, 726 minuta)

Lynneeker (7 ndeshje, 207 minuta)

Tomislav Busiç (28 ndeshje, 10 gola, 2359 minuta)

 

VLLAZNIA

Ivor Vajcer (11 ndeshje, 566 minuta)

Jasmin Agoviç (22 ndeshje, 1980 minuta)

Landri Mulemo (8 ndeshje, 257 minuta)

Stefan Cicmil (19 ndeshje, 1579 minuta)

 

PARTIZANI

Methju Bonifejs (7 ndeshje, 122 minuta)

Dalibor Volash (2 ndeshje, 17 minuta në kupat e Europës)

Marko Çetkoviç (16 ndeshje, 997 minuta)

Kaleb Ekuban (34 ndeshje, 17 gola, 3036 minuta)

Luka Bertoni (4 ndeshje, 295 minuta)

 

TEUTA

Tarik Çmajçanin (25 ndeshje, 1913 minuta)

Bojan Markoviç (16 ndeshje, 1440 minuta)

Eko Barine (1 ndeshje, 9 minuta)

Faisal Bangal (27 ndeshje, 4 gola, 1550 minuta)

 

KORABI

Abraham Adelaja (5 ndeshje, 206 minuta)

Miroslav Vujadinoviç (20 ndeshje, 1748 minuta)

Dushko Dukiç (11 ndeshje, 931 minuta)

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *