Finale emocionuese nga dy skuadra të një qyteti. Teuta në basketboll për meshkuj fiton trofeun e Kupës së Shqipërisë duke mposhtur Goga Basket 95-81 ne finalen e zhvilluar në “Feti Borova”. Finalja ishte emocionuese sepse dy skuadrat janë nga i njëjti qytet, nga qyteti bregdetar i Durrësit.
Teuta në basketboll për meshkuj fiton trofeun e Kupës së Shqipërisë. Në derbin bregdetarët, të besuarit e Baletic mposhtën 95-81 Goga Basket në pallatin e sportit “Feti Borova. Edhe pse takimi zhvillohej në Tirana, prezenca e tifozëve durrsak ishte e madhe.
Protagonist i takimit ishte Eric Kops, me 24 pikë të realizuara. Një performancë të mirë bëri edhe Uilson 19 pikë dhe Hysenagollin 15, ndërsa për Gogën spikatën Ram dhe Thano me 18 dhe 17 pikë. Perioda e parë foli për Goga Basket që e mbylli në avantazh 30-26, ndërsa në të dytën Teuta luan më mirë dhe ekipet shkojnë në pushim në barazim 50-50.
Gjysma e dytë, është edhe më emocionuese, me djemtë e detit që fillojnë të shkëputen duke e mbyllur periodën e tretë në avantazh të 12 pikëve, 69-57. Në 10 minutëshin e fundit, Goga hidhet e gjitha në sulm dhe përpiqet të rihap takimin duke realizuar disa pikë radhazi, por vetëm kaq. Teuta administron rezultatin dhe fiton trofeun e parë sezonal. Në përfundim të takimit, protagonistët e finales u shprehën për Ora News, se trofeu i Kupës së Shqipërisë do të pasohet nga shumë të tjerë.
“Ishte një trofe i rëndësishëm për ne. Në periodën e parë e patëm të vështirë, por gradualisht filluam të rikuperojmë dhe në tretën kaluam në avantazh. Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe e merituam plotësisht trofeun. Tani synojmë titullin kampion dhe të arrijmë në finale të Ballkan Ligës”, tha kapiteni Kristi Gorea.
Në Kupën e Shqipërisë për femra ka triumfuar skuadra e Sh.B.Tirana, e cila ka mundur në finale skuadrën e Flamurtarit me rezultatin 58-55. Sfida e zhvilluar në “Feti Borova” në kryeqytet ishte mjaft dramatike, me skuadrat që kishin pak diferenca në fushën e blertë. Edhe pse vlonjatet kishin mundësitë e tyre për ta çuar ndeshjen në shtesë, në fund festa ishte e gjitha bardheblu.
Gjithsesi, mund të thuhet se skuadra kryeqytetase e meritoi fitoren, ndonëse perioda e parë u mbyll në barazim. Vajzat kuqezi u munduan të ndryshonin diçka në periodën e tretë, por nuk ishte e mjaftueshme.