Barcelona mposhti Levanten 3-0 me dygolëshin e Dembele dhe golin e Mesit, duke u kualifikuar më tej në Kupën e Mbretit. Pavarësisht fitores në fushën e blertë, ekipi katalanas po pret me ankth vendimin e Federatës Spanjolle të Futbollit.
Valverde aktivizoi në ndeshjen e parë mbrojtësin Çumi, por ky i fundit ishte i skualifikuar me Barcelonën B dhe nuk mund të luante. “El Mundo Deportivo” citon se klubi katalanas ka shkelur nenin 76 të Federatës dhe rrezikon përjashtimin nga kompeticioni.
Por, në ndihmë të ekipit të Mesit mund të vijë… Reali i Madridit! Siç raporton “Marca”, para dy vitesh ka ndodhur e njëjta gjë me “Los Blancos”. Në ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Kultural Leonesës, Reali aktivizoi Alvaro Tejeron, pavarësisht skualifikimit të lojtarit me ekipin e dytë. Polemikat shpërthyen, por gjithçka u mbyll shpejt dhe Reali kaloi një tur më tej, për t’u eliminuar më pas nga Selta Vigo.
Barcelona pret të ndodhë e njëjta gjë dhe të vazhdojë më tej në Kupë. “Nuk kam dyshime në rastin e Çumit. Mendoj se kemi bërë gjënë e duhur dhe meritojmë të jemi në turin tjetër. E përsëris, nuk kemi asnjë dyshim për veprimin tonë”, thekson Ernesto Varlverde, trajneri i Barcelonës.