Barcelona fitoi garën me PSG dhe Mançester Sitin për shërbimet e Frenki De Jong. Spanjollët paguan 75 milionë euro (shifra mund të shkojë në 86 milionë në bazë të paraqitjeve) tek Ajaksi dhe mesfushori 21-vjeçar do të zbarkojë në Katalunjë në fund të sezonit.
“Fakti që ata u treguan seriozë për të më blerë mua ma bëri më të thjeshtë marrjen e vendimit. Nuk do të shkoj në Barcelonë si turist për të ndjekur nga afër Leo Mesin. Nuk po them as që do të ul Sergio Buskets në stol, por mendoj se kam një shans të mirë për të fituar minutat e mia. E kam ndjekur Barcelonën që i vogël dhe më pas kur fillova të kuptoj nga futbolli, shijova Barcelonën e Guardiolës”, ka thënë De Jong për aventurën e re në karrierë.
Holandezi ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Barcelonën, që ka vendosur një klauzolë prej 400 milionë eurosh për të, siç raporton “Goal”. Një klauzolë largimi më të shtrenjtë se talenti i mesfushës kanë vetëm Leo Mesi (700 milionë euro) dhe Pike, Buskets, Umtiti dhe Sergio Roberto (të katërt nga 500 milionë euro).