Kur Barcelona shkoi në pushim ndaj Betisit në rezultatin 0-0 dhe pa pasur raste të pastra shënimi, u mendua se kryesuesit e La Ligas do të vuanin. Megjithatë, në 45 minutat e dyta ishte një ciklon i vërtetë, me emrin Mesi.
Ylli argjentinas ndezi motorët në pjesën e dytë dhe historia mbaroi për Betisin, që u fëlliq 5-0, edhe pse me këtë Barcelonë asnjë humbje nuk është e turpshme.
Rakitiç zhbllokoi shifrat në minutën e 59-të dhe Mesi dyfishoi në të 64-tën. “Pleshti” shënoi edhe një gol tjetër më vonë, ndërsa në minutën e 89-të dhe edhe një asist, duke vendosur një rekord personal: asnjëherë më parë në karrierë nuk kishte dhënë asiste në 5 ndeshje rresht në La Liga.
Festë dhe rekord edhe për Luis Suarez, dy gola dhe i dyti futbollist uruguaian në histori që kap kuotën e 100 golave në kampionatin spanjoll, pas Diego Forlanit (128).
Meqë jemi te Mesi: është i vetmi futbollist në historinë e La Ligas që ka shënuar 25 gola e lart në 10 sezonet e fundit në të gjitha kompeticionet.